Lexoni edhe:
Detaje të reja skandaloze: Kur Gjoka thurte plane për vrasjet, Edi Rama e shpallte 'investitor strategjik'
Zbardhen detaje të reja për grupin kriminal që u godit pak ditë më parë nga SPAK duke çuar në pranga prokurorin Xhevair Lita, ish-drejtorin e Operacionales, Oltion Bistri, biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe zyrtarë të tjerë të policies, transmeton "Kosova Sot Online "
Ndërsa hetimet nisën 7 muaj më parë, pasi autoritetet franceze i sollën SPAK fashikuj të tërë ku ishin zbardhur bisedat mes të dyshuarve në aplikacionet SKY dhe “ENCroChat’, nga përgjimet janë zbardhur bisedat e tyre ku ata flisnin hapur për vrasje, plane për të kryer atentate, korrupsion e krime të tjera.
Mësohet se Edmond Preka ish-efektivi i policisë që prej disa kohësh shërbente si shofer i biznesmenit Pëllumb Gjoka, në vrasjen e Gjin Ndojit (Boriçi) dhe atentatin ndaj Kleant Musabelliut kishte rol aktiv pasi ka ndihmuar autorët e krimit për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, pasi i morën jetën shenjestrës, Ndojit, me dy plumba në kokë dhe një në shpatull.
Po ashtu në dosjen hetimore rezulton se një tjetër ngjarje ku Preka është përfshirë, është ajo e planit të vrasjes së Kleant Musabelliu, ish-punonjës i drejtorisë së Burgjeve. Preka ka informuar grupin e Ervis Martinajt me foto dhe informacione mbi lëvizjet e shënjestrës, ndërsa ka krijuar kushte për vrasje. Ndërkohë, atentati dështoi në rrethana të pa qartësuara deri më sot nga autoritetet. Ish-oficeri i policisë ka luajtur rolin e informatorit ndaj personave të interesuar për asgjësimin e Musabelliut.
Ky plan, fillimisht në bazë të transkripteve, ishte marrë përsipër nga Behar Bajri. Ky i fundit nga përgjimet rezulton se flet me Gjokën dhe i thotë se kishte gjetur 3 shtetas të huaj, një arab, një nga Kosova dhe një serb. Ata kërkonin 100 mijë euro, teksa Gjoka i thotë që ‘nëse është nevoja jepu më shumë’. Por Bajri del garant duke i thënë që ‘për kaq para do ta bënin vetë’.
Vrasja e Boriçit ishte e porositur nga Ervis Martinaj, mbreti i kumarit i zhdukur pa gjurmë prej gushtit të vitit të kaluar. Ai ia ngarkoi këtë detyrë Behar Bajrit dhe vrasja u krye të gusht të 2020 në Vaun e Dejës.
Në këmbim Martinaj mori përsipër të vriste për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka, Kleanth Musabelliun, ish-specialistin e Burgjeve për shkak se u ngatërrua me Gjokën me 11 shtator të 2017 në afërsi të Pazarit të Ri.
Sot priten të jepen masat e sigurisë për 17 personat, ku 15 janë me urdhër-arrest të përcaktuar nga SPAK e GJKKO, ndërkohë që dy të rinj të tjerë, nga Shkodra, janë kapur në kushtet e flagrancës gjatë kontrolleve të ushtruara nga RENEA dhe Forcat Operacionale që drejtonte Oltion Bistr.
(Kosova Sot Online )