Ky shtet dëshiron të shtojë numrin e grave në ushtri
Gratë janë të nënpërfaqësuara në ushtrinë gjermane Bundeswehr. Një paketë e re reformash ligjore shpreson ta ndryshojë këtë, në një moment që Gjermania synon të forcojë aftësitë e saj ushtarake, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Gjermania do të shtojë përqindjen e grave në forcat e armatosura. Kabineti i kancelarit Olaf Scholz miratoi së fundi një sërë masash për të nxitur mundësitë e barabarta për burrat dhe gratë në ushtri.
Ndryshimet synojnë të harmonizojnë procedurat në ushtrinë gjermane, Bundeswehr, duke fuqizuar ligjet për mundësitë e barabarta që zbatohen për të gjitha strukturat shtetërore në përgjithësi. Bundeswehr-i ka nevojë për ushtarë për të plotësuar radhët e tij, si pjesë e përpjekjeve të Gjermanisë për të forcuar aftësitë e saj ushtarake në përgjigje të luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Gratë nuk janë ende të përfaqësuara sa duhet në Bundeswehr,” tha për gazetarët zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.
Gjermania do të shtojë përqindjen e grave në forcat e armatosuraGjermania do të shtojë përqindjen e grave në forcat e armatosura
Sipas përcaktimit të bërë nga qeveria për përfaqësim mund të flitet vetëm kur përqindja e grave e kalon 20 përqindëshin. Ministria e Mbrojtjes synon që gratë të përbëjnë të paktën gjysmën e personalit mjekësor të ushtrisë.
Përmirësime financiare dhe sociale
Për të tërhequr sa më shumë gra si në shërbimin ushtarak aktiv ashtu edhe si rezerviste, qeveria dhe ushtria gjermane po përpiqen të përmirësojnë jo vetëm pagat, por edhe të ofrojnë mbështetje për kujdesin ndaj fëmijëve apo për rastet kur dikujt i duhet të kujdeset për të moshuarit apo anëtarë të sëmurë të familjes.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius gjatë një vizite të trupave gjermane në MaliMinistri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius gjatë një vizite të trupave gjermane në Mali
Sipas mendimit të qeverisë gjermane, punësimi i më shumë grave në ushtri kontribuon edhe për Agjendën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm. “Fuqizimi i grave dhe vajzave” është një nga shtyllat e agjendës 2030 të OKB-së.
Gjithësesi përpjekja e Bundeswehr-it për të punësuar shumë gra nuk është vetëm çështje mundësish të barabarta gjinore, por përkon me kërkesën e re për përmirësime të gjithanshme të aftësive ushtarake të Gjermanisë./
(Kosova Sot Online)