Hamiti: Në Kosovë po e shohim se demokracia vdes dhe në pikë të ditës
Në Kosovë “po e shohim se demokracia vdes jo vetëm në errësirë, por edhe në pikë të ditës”, ka deklaruar anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Hamiti shkroi në Facebook për heshtjen e disave dhe se si, sipas tij, “tendencat autoritare dhe madje diktatoriale nuk po i kundërshton askush prej gjirit të madh pushtetor”.
“Demokracia vdes në pikë të ditës, siç ka rrezik të vdesë në Kosovë, kur shumica mësohet dhe e pranon brejtjen (erozionin) e normave. Demokracia është kulturë dhe norma. Kur lejojmë brejtjen e tyre, qoftë pse një pjesë e konsiderueshme do kështu, apo pse pjesa tjetër, po ashtu e konsiderueshme, nuk guxon t’i kundërshtojë; ose, në fund të fundit, bën sehir kur ndodh kjo dhe hesht . “Heshtja është ar”, thotë një fjalë e urtë që ua xigëlon ndërgjegjen lojcakëve, oportunistëve dhe konformistëve, numri i të cilëve po rritet në shoqërinë tonë. Në ndërkohë, demokracia po vdes në pikë të ditës mbasi tendencat autoritare dhe madje diktatoriale nuk po i kundërshton askush prej gjirit të madh pushtetor”, ka shkruar Hamiti.
Postimi i plotë i Muhamet Hamitit:
Demokracia vdes edhe në pikë të ditës
“Demokracia vdes në errësirë” ishte motoja e protesëts së sotme të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), mbështetur nga shoqëria civile, kundër synimit të Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur Klan Kosovën në emër të vendosjes së rendit dhe ligjit. Regjimi i ri në Kosovë mediat e pavarura dhe kritike i përbuz dhe nëse mundet do t’i mbyllë.
Të kujtojmë se “Demokracia vdes në errësirë” (Democracy Dies in Darkness) është motoja që e ka bërë të veten gazeta amerikane “The Washington Post” më 2017. Sloganin e kishte popullarizuar gazetari i shquar investigativ Bob Woodward, i njohur për gazetarinë e tij mbi skandalin Watergate.
Mirëpo, ne në Kosovë po e shohim se demokracia vdes jo vetëm në errësirë, por edhe në pikë të ditës. Kështu që moton fillestare mund ta bëjmë anglisht “Democracy dies in darkness, but in broad daylight too” dhe në shqip: ”Demokracia vdes në errërisë, por edhe në pikë të ditës”.
Demokracia vdes në pikë të ditës, siç ka rrezik të vdesë në Kosovë, kur shumica mësohet dhe e pranon brejtjen (erozionin) e normave. Demokracia është kulturë dhe norma. Kur lejojmë brejtjen e tyre, qoftë pse një pjesë e konsiderueshme do kështu, apo pse pjesa tjetër, po ashtu e konsiderueshme, nuk guxon t’i kundërshtojë; ose, në fund të fundit, bën sehir kur ndodh kjo dhe hesht . “Heshtja është ar”, thotë një fjalë e urtë që ua xigëlon ndërgjegjen lojcakëve, oportunistëve dhe konformistëve, numri i të cilëve po rritet në shoqërinë tonë. Në ndërkohë, demokracia po vdes në pikë të ditës mbasi tendencat autoritare dhe madje diktatoriale nuk po i kundërshton askush prej gjirit të madh pushtetor.
Le të thuhet në fund se titulli i këtij shkrimi të shkurtër nuk e kundërshton faktin se “Demokracia vdes në errërsirë”.
(Kosova Sot Online)