Lexoni edhe:
Ja kush ështe i riu kosovar në Gjermani që aplikoi dhe u pranua në 37 fakultete të mjekësisë
Kryeministri Albin Kurti e ka ngacmuar sërish kryeministrin shqiptar lidhur me çështjen e “Ballkanit të Hapur”, transmeton "Kosova Sot Online".
Në një pritje që u bëri mbrëmë mërgimtarëve, Kurti tha se po e shënojnë përvjetorin e “Ballkonit të Hapur”, duke e quajtur kështu një vend të këndshëm.
“Për rastësi, ose ndoshta edhe jo, nesër bëhen fiks një vit prej se e kemi inauguruar “Ballkonin e Hapur” këtu në Kryeministri. Megjithatë, përvjetorin po e shënojmë sonte sepse ishim pikërisht bashkë, këtu, një vit më parë, prej kur kjo hapësirë e objektit të qeverisë, që dikur nuk shfrytëzohej, është bërë vend kaq i këndshëm për pritje e takime. E edhe një vit pas, Ballkoni ynë vazhdon të jetë i hapur, sonte, për mërgatën tonë të dashur, për juve bashkatdhetarë. Bashkë e shpallëm. Bashkë po e shënojmë edhe përvjetorin e parë. Bashkë do të takohemi për shumë mote. Mirë se vini e gëzuar!”, u tha Kurti, mërgimtarëve.
Kryeministri tutje është lavdëruar para mërgimtarëve për zhvillim e rritje ekonomike si dhe për progresin demokratik.
“Kosova ka bërë përparim të dukshëm gjatë këtyre dy viteve të fundit. Që nga shpallja e pavarësisë përparimi ka qenë i theksuar si për popullin e shoqërinë ashtu edhe për shtetin edhe institucionet. Ndërkaq, në këto dy vitet e qeverisjes sonë nuk ka raport ndërkombëtar kredibil i cili nuk e ka evidentuar progresin tonë demokratik dhe ekonomik. E sërish kur themi progresin tonë nuk e mendojmë vetën tonë, por e mendojmë edhe një herë popullin e shoqërinë, shtetin e institucionet e tij. Kemi bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të punës. Rritja mesatare ekonomike në këto dy vite ka qenë 7.35% të bruto produktit vendor. Të hyrat tatimore janë rritur për 2/3, pa e ndryshuar politikën fiskale dhe eksportet e investimet e huaja direkte janë dyfishuar. Sivjet pritet të jetë viti i parë kur eksportet do ta kalojnë shifrën prej 1 miliard euro”, ka trhënë tutje ai.
Në këtë pritje, ku të ftuar ishin pjesëtarë e figura të ndryshme nga mërgata, artistë, veprimtarë, përfaqësues të shoqatave që veprojnë në mërgatë e përfaqësues të rinj politikë atje, bashkë me kryeministrin ishin të pranishëm edhe ministra e ministre të kabinetit qeveritar dhe zëvendësministra.