Pse po bie numri i aplikimeve në UP?
Mbi 6100 të rinj kanë aplikuar për të vazhduar studimet në Universitetin më të madh publik në vend, atë të Prishtinës (UP) për vitin akademik 2023/24. Ky numër është për mbi 1800 më pak se për vitin akademik aktual 2022/23. Nga Rektorati i UP-së thonë se numri i ulët i studentëve lidhet me faktin se edhe numri i maturantëve në nivel vendi ka rënë, por nuk e përjashtojnë që ndikim ka edhe largimi i të rinjve. UP do të hapë konkurs plotësues edhe për 2700 vende të lira në fakultetet e saj.
Nga organizatat studentore të UP-së thonë se mungesa e vendeve të punës pas diplomimit i ka bërë shumë të rinj që të mendojnë të largohen pa përfunduar as ciklin e studimeve bachelor në Kosovë, ndërsa rëndisin edhe arsye të tjera. Por, profesoresha e Universitetit të Arteve, Besa Luzha thotë se nuk është e domosdoshme që të rinjtë të vazhdojnë patjetër me studime.
Rektorati i Prishtinës, përmes një përgjigje me shkrim për kp, konsideron se shkak i numri të ulët të aplikimeve në fakultetet e Universitetit të Prishtinës ka ndikuar edhe “lëvizjet e brendshme dhe të jashtme të rinjve në Kosovë”.
Nga këta që kanë aplikuar, Rektorati i UP-së tregon se cilat janë programet më të kërkuara për vitin e ardhshëm akademik që do të nisë më 1 tetor.
Ndërsa, Besa Luzha, profesoreshë në Fakultetin e Arteve, në degën e Arteve Muzikore, thotë se tregu i arsimit të lartë në Kosovë është i ngarkuar.
Fakulteti ku ajo ligjeron nuk ka pasur aplikime të shumta, por Luzha thotë se vet programet e Arteve Muzikore janë shumë të kufizuara në numër dhe nuk pranojnë shumë studentë të rinj.
Luzha e pranon që edhe kushtet në Fakutletin e Arteve nuk janë ideale dhe kanë në vazhdimësi kërkesa që Artet Muzikore të kenë një ndërtesë në vete.
Festim Tasholli nga organizata studentore “Unioni Demokratik Studentor”, thotë për KosovaPress se e kanë vënë re që në shumë fakultete të Universitetit të Prishtinës ka rënie të aplikimeve. Ai thotë se migrimi mund të jetë arsye kryesore, por ka që zgjedhin edhe kolegje private.
Përpos Universitetit të Prishtinës, Kosova numëron edhe 6 universitete te tjera publike si dhe dhjetëra të tjera private.
(Kosova Sot Online)