Zbardhen detaje të reja për vrasjen e argjentiases në Kosovë
Vazhdon raportimi i mediave spanjolle për mënyrën e vdekjes së argjentinases Maria Clara Urdangaray 27 vjeçare, e cila dyshohet se vra nga partneri i saj shqiptar javën e kaluar në Fushë Kosovë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Vajza ndodhej me pushime në Kosovë me partnerin e saj kur humbi jetën pasi u rrëzua nga kati i gjashtë i një hoteli.
Fillimisht u raportua për një rënie nga ballkoni, por më vonë doli krejt diçka tjetër. Të premten policia e Kosovës arrestoi partnerin e viktimës, Endrit Nika, 31-vjeçari shqiptar me dokumente zvicerane.
E pas kësaj ngjarje tragjike, gazetari shqiptar Idro Seferi ka njoftuar se ka komunikuar me babin dhe shokun e ngushtë të viktimës.
Seferi këtë e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, ku tha se të afërmit e viktimës po e presin ta marrin kufomën e ta dërgojnë në Buenos Aires.
“Argjentina ka arritë me e njoftë Kosovën këto ditë për fat të keq në një frymë të çuditshme. Momente shumë të vështira për familjen që ka pak informacion edhe për procedurat e mundshme dhe një ndjenjë që ta përçon gjithsesi edhe biseda ma e vogël me ta”, shkroi ai ndër të tjera.
Postimi i plotë
Sapo komunikova prapë me mikun e argjentinases së vrarë në Kosovë, me mikun e saj të ngusht dhe shkurt edhe me babën e viktimës që po presin ta marrin kufomën e ta çojnë në Buenos Aires. Argjentina ka arritë me e njoftë Kosovën këto ditë për fat të keq në një frymë të çuditshme. Momente shumë të vështira për familjen që ka pak informacion edhe për procedurat e mundshme dhe një ndjenjë që ta përçon gjithsesi edhe biseda ma e vogël me ta. Për dallim prej një lajmi të zakonshëm është e tmerrshme tragjedia personale e një dhune të tillë brutale pavarësisht se çka ka ndodh. Shoku i saj më tha qe ka dasht me i tregu diçka krejt kohën, por nuk ka arritë.
Mendoj se çdo viktimë e meriton një kujtim a veprim a ndezje qiri që është dasht me ndodhë për atë vajzë në Prishtinë.
(Kosova Sot Online)