Kurti në takim me zv/kryediplomatin turk, flasin për bashkëpunimin me kabinetin e ri të Erdoganit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në Qeveri zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, i shoqëruar nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı dhe Sabri Demiri, këshilltari i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, përcjell “Kosova Sot Online”.
Në takim, zipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka theksuar bashkëpunimin me kabinetin e ri të Erdoganit, i cili së fundmi e fitoi edhe një mandat në krye të Turqisë.
Në njoftim thuhet po ashtu se Kurti njoftoi delegacionin turk edhe për procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe për zhvillimet e fundit në vend.
“Në takim u konfirmua përkushtimi për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve tashmë shumë të mira ndërmjet dy shteteve. Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë, në çdo fazë të shtet-formimit, shtet-ndërtimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, duke theksuar se mirëpritet bashkëpunimin me kabinetin e ri të Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Fuqizimi i raporteve në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe shëndetësisë, dhe planet e përpjekjet e dy palëve për të krijuar një forum ekonomik të përbashkët, ZKM thotë se “ishin prej temave kryesore të diskutimit të sotëm”.
“Krahas tyre, kryeministri Kurti njoftoi delegacionin turk, të udhëhequr nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Bozay edhe për procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën në katër komunat në veri”, thuhet në fund të komunikatës.
(Kosova Sot Online)