E papritur: Pezullohet partia e njohur në Kosovë
Për shkak të mosmbajtjes së kuvendit të brendshëm zgjedhor në afatet e parapara me legjislacionin në fuqi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pezulluar partinë Republikanët e Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ky vendim u mor me vota unanime nga të gjithë anëtarët e KQZ-së të martën.
Drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala, u shpreh se partia Republikanët e Kosovës është dashur të mbajë kuvendin e ri zgjedhor në fillim të këtij muaji por nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Sipas tij, kjo parti ka afat 45 ditë që të mbajë kuvendin zgjedhor nëse dëshiron të hiqet masa e pezullimit nga KQZ.
Vendimi u mor me 11 vota “pro”, ndërsa KQZ vijoi mbledhjen me dyer të mbyllura për çështje të brendshme të saj.
(Kosova Sot Online)