
E kujt është ndërtesa komunale në Mitrovicë të Veriut?

Shkak i mosmarrëveshjeve mes autoriteteve lokale dhe Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, një ndërtesë në Lagjen multietnike të Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut u bë të martën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Inspektorati komunal pretendon se disa institucione të Serbisë, të cilat e shfrytëzojnë këtë objekt si hapësirë pune, nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë dhe ka kërkuar që objekti të lirohet deri të premten.
Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, thotë se autoritetet shqiptare “duan të na i marrin hapësirat tona”.
Në këtë, komuna përgjigjet: “Po e shfrytëzojnë objektin pa dokumente”.
Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut – një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.
Aty thuhet se inspektoratit nuk i janë dhënë dokumente në bazë të të cilave institucionet e Serbisë e shfrytëzojnë objektin komunal, ndonëse zyrtarët serbë, siç thuhet, kanë qenë të informuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe të paraqesin dokumente për shfrytëzimin e këtij objekti.
Nga zyra e kryetarit të komunës thanë se objekti në fjalë është në pronësi të komunës dhe se ata që e shfrytëzojnë atë, janë të obliguar t’i tregojnë dokumentet për shfrytëzim.
Nga komuna, po ashtu, thanë se Simiq i ka pritur zyrtarët komunalë dhe u ka thënë se nuk ka asnjë dokument për objektin që shfrytëzojnë institucionet e Serbisë dhe se nuk e di se në pronësinë e kujt është.
(Kosova Sot Online)