Lexoni edhe:
Ky është ylli amerikan i mundjes që u goditë nga vdekja, kishte probleme me zemrën pas infektimit me COVID-19
Bashkimi Europian të mërkurën shprehi shqetësimin për dorëheqjet e policëve serbë nga Policia e Kosovës. Ndërkaq, së fundi, BE shprehi shqetësim edhe për implikimet e mundshme nga urdhri i kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ndaj punonjësve të strukturave ilegale në një objekt komunal në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë për t’i ‘liruar’ ato brenda tri ditëve, transmeton "Kosova Sot Online".
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të mërkurën kishte thënë se BE dënon presionin e frikësimin që po iu bëhet pjesëtarëve joshumicë të Policisë së Kosovës, për të cilët tha se “kanë një rol për të luajtur duke kontribuar në sigurinë e komunitetit të tyre përmes punës të orientuar drejt komunitetit”.
“Ne dënojmë presionin psikologjik, frikësimin dhe kërcënimet për hakmarrje ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilat thuhet se kanë motivuar dorëheqjen e policëve të saporekrutuar”, ka deklaruar Stano.
Derisa, të premten, Stano komentoi edhe vendimin e fundit Mitrovicës së Veriut për lirimin e një objekti komunal që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë.
“Jemi të shqetësuar për implikimet në situatën e sigurisë të vendimeve të fundit të marra nga administrata e komunës së Mitrovicës Veriore për shfrytëzimin e hapësirave dhe ndërtesave publike dhe komunale, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga subjektet e drejtuara nga Serbia të lirojnë objektet e tyre, nëse ata s’e sigurojnë dokumentacionin e kërkuar brenda një afati të shkurtër. Ky vendim bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme për të de-përshkallëzuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.
Me këto deklarata të Bashkimit Europian është pajtuar edhe ambasada e Francës në Kosovë, e cila e ka shpërndarë deklaratën e plotë të Bashkimit Europian mbi këtë çështje.
Dorëheqjet e policëve
Numri i policëve të cilët sapo janë rekrutuar në Policinë e Kosovës e që dhanë dorëheqje raportohet të jetë nëntë.
Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani, tha se “tashmë ka informacione të konfirmuara se kërcënimet dhe shantazhet vijnë direkt nga Serbia”.
46 policë të rinj serbë e nisën punën në veri të Kosovës në fund të korrikut, por ata u përballën menjëherë me kërcënime online në rrjetet sociale, të cilat zyrtarët kosovarë dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar ashpër.
Po ashtu, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është shprehur “thellësisht” i brengosur me dorëheqjet e fundit të policëve të porsaemëruar serbë në veri të Kosovës si pasojë e presioni dhe tha se është e papranueshme që “dikush, përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, të ushtrojë presion politik ndaj individëve që duan t’i bashkohen” Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës ofron shërbime jetike për të gjitha komunitetet dhe qytetarët e Kosovës. Ne dënojmë çdo përpjekje për ta minuar diversitetin brenda radhëve të saj”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 23 gusht.
Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për t’u kthyer në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.
Urdhri për lirimin e objektit komunal
Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se ky vendim i fundit është implikim i situatës aktuale në veri.
“Jemi të shqetësuar për implikimet në situatën e sigurisë të vendimeve të fundit të marra nga administrata e komunës së Mitrovicës Veriore për shfrytëzimin e hapësirave dhe ndërtesave publike dhe komunale, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga subjektet e drejtuara nga Serbia të lirojnë objektet e tyre, nëse ata s’e sigurojnë dokumentacionin e kërkuar brenda një afati të shkurtër. Ky vendim bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme për të de-përshkallëzuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.
Ai bëri thirrjen e zakonshme që vendimet e tilla Kosova duhet t’i adresojë përmes dialogut të lehtësuar nga Unioni.
“Ne përsërisim thirrjen tonë të përsëritur për koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë për të gjitha vendimet që ndikojnë në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe adresojnë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kjo përsëri nuk ka ndodhur me këto vendime”.
BE tha se çështja e strukturave paralele në veri të vendit duhet të zgjidhet përmes dialogut, si dhe me themelimin e Asociacionit.
“Çështja e strukturave të drejtuara nga serbët duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian thotë se zgjedhjet e planifikuara për në katër komunat veriore duhet të mbahen sa më shpejt.
“Edhe pse zgjedhjet e pjesshme për kryetar komune të prillit 2023 të mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës u zhvilluan në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ne kemi qenë shumë të qartë se për shkak të pjesëmarrjes shumë të ulët ato nuk ofruan një zgjidhje politike afatgjatë. Prandaj, është e rëndësishme që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të organizohen sa më shpejt”.
BE-ja ka nënvizuar deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, e cila i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar.
“Kosova u angazhua për këto parime në Bratislavë në korrik 2023”, përfundon përgjigjja e Stanos.
https://twitter.com/FranceauKosovo
(Kosova Sot Online )