“Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim”, Kamberi: Ky është mesazhi që ia dha Bërnabiq shqiptarëve të Luginës së Preshevës

  • E.k /
  • 29 August 2023 - 15:06
“Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim”, Kamberi: Ky është mesazhi që ia dha Bërnabiq shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka interpretuar një pjesë të fjalimit të kryeministres të Serbisë, Ana Bërnabiq, për komunitetin shqiptar në Serbi, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Brnabiq, paska thënë se “shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk i qëllon askush””, ka shkruar Kamberi, duke shtuar se kjo i bie që shqiptarët duhet të mjaftohen meqë s’po vriten.

““Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim” ky është mesazhi të cilin shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nga Forumi Strategjik në Bled , e paska dërguar Ana Brnabiq, kryeministre e Serbisë. Sipas Brnabiq, shqiptarët në Luginë të Preshevës, “paskan të drejta” sepse askush si “vranë”, ndërsa Serbët në Kosovë jo, është vazhdimsëi e politikës zyrtare të standardeve të dyfishta të Serbisë për trajtimin e pakicave, dhe mohimit të të drejtave elementare të pakicave brenda territorit të vet, ndërkohë që për pakicën e vet në Kosovë, tenton të ndërtojë standarde që nuk ekzistojnë në asnjë shtet tjetër”.

Deklarata e plotë:

“Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim” ky është mesazhi të cilin shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nga Forumi Strategjik në Bled, e paska dërguar Ana Brnabiq, kryeministre e Serbisë.

Sipas Brnabiq, shqiptarët në Luginë të Preshevës, “paskan të drejta” sepse askush si “vranë”, ndërsa Serbët në Kosovë jo, është vazhdimësi e politikës zyrtare të standardeve të dyfishta të Serbisë për trajtimin e pakicave, dhe mohimit të të drejtave elementare të pakicave brenda territorit të vet, ndërkohë që për pakicën e vet në Kosovë, tenton të ndërtojë standarde që nuk ekzistojnë në asnjë shtet tjetër.

Brnabiq, paska thënë se “shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk i qëllon askush”.

Faktet flasin diçka tjetër.

Vetëm në periudhën e bombardimeve të NATO-së më 1999, në komunën e Preshevës, territor nën kontrollin absolut të forcave serbe të sigurisë, janë vrarë 11 civilë shqiptarë, për të cilët nuk ka dhënë llogari askush.

Në Komunën e Bujanocit, gjatë vitit 2000, janë vrarë 13 civilë tjerë.

Qindra shqiptarë tjerë, janë keqtrajtuar: rrahur e plaçkitur nga forcat serbe të sigurisë, pa u dënuar askush.

Më 2003, më 2009, me qëllim të krijimit të situatës së pasigurisë së përgjithshme, nën akuzat e rrejshme për “terrorizëm e krime lufte” janë arrestuar dhjetra shqiptarë, të cilët, pas mbajtjes në paraburgim me muaj e vite janë liruar të pafajshme.

E vrasja e Dashhnim Hajrullahut si të cilësohet?

Ndaj shumë të rinjve janë ngritur procedura penale, për shkak të përdorimit të simbolit kombëtar. Ata janë detyruar ta braktisin Luginën.

Të gjithë drejtuesit institucional dhe politik janë të dënuar nga gjykatat serbe, për shkak të përdorimit publik të simbolit kombëtar me rastin e Festës së Flamurit.

Kur jemi te të drejtat që garantohen edhe gëzohen, situata është krejtësisht tjetër nga ajo që pretendon Brnabiq.

Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimorë, në të cilën, me ligj është ndaluar përdorimi publik i simbolit kombëtar.

Serbia është vendi me pjesëmarrje më të ulët të pakicave në jetën publike dhe vendimmarrje, për shkak të politikave diskriminuese që me decenie po zbatohen.

Në administratën shtetërore, institucionet publike, organizatat me interes të veçantë për qytetarët pjesëmarrja e shqiptarëve është ose simbolike ose janë fare të pastruara nga shqiptarët.

Gjyqësori, kadastra, inspekcionet republikane, dogana, shërbimi i të ardhurave, hekurudha, elektrodistribucioni dhe shëndetësia, janë shembujt më drastik të këtij diskriminimi në përfaqësim.

Është krejtësisht e kundërta me atë që Kosova dhe Kushtetuta e saj garanton dhe realizon për pakicat, sidomos për serbët.

Serbët kanë 10 vende të garantuara në Parlament, dy ministri, përfaqësim të garantuar në gjyqësor prej gjykatave themelore deri te ajo kushtetuese.

Shqiptarët (edhe pakicat tjera) duhet të luftojnë bashkë me partitë serbe për një vend në parlament, janë të privuar nga e drejta e përfaqësimit të barabartë e proporcional në gjyqësor, polici dhe të gjitha institucionet e shtetit.

Por, është e njëjta Serbi e cila po udhëhiqet me logjikën e vjetër, që pakicat, sidomos shqiptarët i sheh si “armik të shtetit”.

E njëjta Serbi që në territorin e vet pengon integrimin e barabartë dhe poporcional të pakicave, në Kosovë i detyroi serbët të dalin nga institucionet.

Shqiptarët në Serbi, prej përfundimit të konfliktit të armatosur, më 2001, kanë punuar bashkë me ndërkombëtarët dhe qeverinë në Beograd, për të tejkaluar problemet. Në këtë proces politik edhe kanë arritur tre marrëveshje të nënshkruara me qeverinë qendrore 2001, 2009 dhe 2013.

Në jetën e përditshme, për çdo ditë përballen me gjuhën e urrejtjes, racizëm e ksenofobi.

As edhe një herë të vetme nuk kanë sulmuar organet e rendit apo vendor dhe nuk kanë vendosur barrikada për të penguar qarkullimin e lirë.

Ndoshta edhe kjo është problem më vete.

Bashkësia ndërkombëtare në vend që të punojë në prevencion të konflikteve vrapon pas shuarjeve të zjarreve.

Nga ana tjetër, serbët në Kosovë, kanë përdorur të gjitha mjetet, prej atyre politike (bojkotit të zgjedhjeve) deri te sulmet kundër pjesëtarëve të organeve të rendit dhe vetë ushtarëve të KFOR-it, për të destablizuar veriun e Kosovës.

Qëllimi destabilizues është pasojë e filozofisë politike të projektit “Bota serbe”.

Serbia po punon të kontrollojë gjithë serbët në rajon, jo për të ndikuar në ngritjen e raporteve me ato shtete, përkundrazi për të dëshmuar fuqinë e vet destabiizuese në mbarë Ballkanin perëndimorë.

Qëllim destruktiv me pasoja destabilizuese.

Çka kanë Serbët në Kosovë, çka atyre u ofron Kushtetuta dhe ligjet sistemore, është shembull unik i trajtimit të një pakice që po trajtohet “sui generis”.

Shqiptarët, në Luginë të Preshevës, që nuk kanë mundësinë e pjesmarrjes adekuate në institucionet shtetërore e publike, jetojnë në rajonin më të pazhvilluar, sepse diskiminimi politik e ekonomik, ka për qëllim që Luginën e Preshevës ta shndrrojë në “Tokë të djegur”.

Një shtet dhe kryeministër me vlera evropiane, do të duhej të kishte folur ndryshe.

Serbia po vazhdon të mbetet një oazë regresioni.

Mendimet politike ndaj shqiptarëve këtu akoma janë të njëjta sikurse para Luftërave Ballkanike.

“Po pyes veten”, kishte deklaruar me një rast Bogdan Bogdanoviq, intelektual e politikan serb, “sa është e vështirë të flasësh për dhunën ndaj serbëve pas gjenocidit të Srebrnenicës”.

z. Brnabiq: Pse njëherë nuk shkove ta vizitosh Batajnicën dhe vendet tjera në Serbi ku gjenden varrezat masive të shqiptarëve?

(Kosova Sot Online)