Shefi i EULEX-it alarmon për situatën e sigurisë: Shpërthimi në veri tregon se sa e paqëndrueshme është situata

  • 23 September 2023 - 07:58
Shefi i EULEX-it alarmon për situatën e sigurisë: Shpërthimi në veri tregon se sa e paqëndrueshme është situata

Shefi i misionit EULEX në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, duke komentuar shpërthimin që ndodhi në mesnatë në veri të Mitrovicës, ka thënë se incidente të tilla tregojnë se sa e paqëndrueshme është situata në atë pjesë të vendit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ai tutje ka thënë se incidentet e tilla nënvizojnë nevojë urgjente për shtensionim.

“Incidente të tilla tregojnë se sa e paqëndrueshme është situata dhe nënvizojnë nevojën urgjente për shtensionim. EULEX-i dënon çdo formë dhune si të papranueshme”, ka shkruar Barbano në platformën “X”.

Ndryshe, një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në mesnatë në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës. Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun e Mitrovicës, Veton Elshani.

“Pas daljes në vend të ngjarjes së ekipit të specializuar, dyshohet se kemi të bëjmë me shpërthim të granatës së dorës M75”, ka deklaruar Elshani.

Shpërthimi ka ndodhur mbrëmë rreth mesnatës, ndërsa përveç dëmeve në një veturë, nuk raportohet për të lënduar.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili është shprehur i tronditur.

Hovenier ka thënë se i dënon këto akte dhune, ndërsa u ka bërë thirrje autoriteteve të kryejnë hetim të plotë për rastin. 

(Kosova Sot Online )