Takimi i ministrave të Jashtëm në Tiranë, Daçiç nuk fotografohet me homologët për shkak të Gërvallës

  • E.k /
  • 06 October 2023 - 11:26
Takimi i ministrave të Jashtëm në Tiranë, Daçiç nuk fotografohet me homologët për shkak të Gërvallës

Ka nisursot në Tiranë takimi i ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit me pritjen e delegacioneve.

Pas arritjes së ministrave është bërë një fotografi e përbashkët, e ku ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq nuk mori pjesë për shkak të kryediplomates së Kosovës Donika Gërvalla.

24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit janë pjesë e takimit të ministrave të Jashtëm i cili i paraprin samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.

Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, takimi do të drejtohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Në të do të marrin pjesë: Komisioneri për Zgjerimin i KE, Oliver Varhelyi, përfaqësuesja e EAS, Angelina Eichhorst; ministrat e Jashtëm të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës si dhe të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit si Gjermania, Austria, Greqia, Hungaria etj.

Pjesë e Procesit të Berlinit janë edhe RCC dhe RYCO.

Takimi do të ketë 2 sesione të cilat do të jenë të mbyllura dhe në fund ministri Hasani, ministrja gjermane Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

(Kosova Sot Online)