Blinken në Izrael, për herë të dytë brenda 4 ditësh

  • A.P /
  • 16 October 2023 - 18:16
Blinken në Izrael, për herë të dytë brenda 4 ditësh

Shtetet e Bashkuara thonë se presin rihapjen e një pikë kalimi kufitar mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare, por nuk dihet ende se kur do të ndodhë kjo. Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, u rikthye sot në Izrael, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur zgjerimin e konfliktit në rajon, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken po qëndron sërish në Izrael, për herë të dytë brenda 4 ditësh, pas një turi takimesh me udhëheqësit arabë të rajonit në përpjekje për të parandaluar shndërriminn e luftës në një konflikt më të gjerë në rajon.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara po bashkëpunonin me Egjiptin, Izraelin dhe Kombet e Bashkuara për t’u siguruar që ndihmat të mbërrijnë në Gazë, në mbështetje të atyre që kanë nevojë.

“Gjatë ditëve te fundit kam udhëtuar në Izrael, Jordani, Bahrein, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipt. Secili prej këtyre partnerëve ndan të njëjtën pikëpamje për të parandaluar zgjerimin e konfliktit, ruajtjen e jetëve të pafajshme dhe për t’u ofruar ndihmë atyre që kanë nevojë në Gazë”, shkroi zoti Blinken përmes një postimi në rrjetin social “X”.

Zoti Blinken u takua këtë të hënë me Presidentin e Izraelit Isaac Herzog. Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Mathew Miller, Sekretari Blinken i rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar Izraelit ndihmën e nenvojshme për mbrojtjen e qytetarëve të saj.

Një ditë më parë, duke folur në Kajro, pas takimit me presidentin e Egjiptit, Sekretari Blinken tha se është me shumë rëndësi mënyra se si Izraeli ushtron të drejtën për t’u mbrojtur.

“Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të Hamasit dhe të sigurohet, që kjo të mos ndodhë më kurrë. Por siç e thashë në Tel Aviv dhe siç e ka thëne edhe Presidenti Biden, mënyra se si Izraeli e bën këtë ka shumë rëndësi. Duhet të jetë një mënyrë që përputhet me parimet tona të përbashkëta për jetën dhe dinjitetin njerëzor dhe duke marrë të gjitha masat paraprake për të shmangur lëndimin e civilëve”, tha zoti Blinken.


Ndërsa më shumë se 1 milionë palestinezë mund të largohen për shkak të rrezikut nga konflikti, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar thirrjet për mbrojtjen e të pafajshmëve.

“Ne jemi në komunikim me parterët izraelitë. Jemi në kontakt me Kombet e Bashkuara për të ndihmuar në furnizimin me ushqim, ujë dhe mjekime për qytetarët në Gazë, për ata palestinezë që nuk kanë lidhje me terroristët barbarë që kryen sulmet”, tha për rrjetin “ABC”, Jake Sullivan, Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare.

(Kosova Sot Online)