Ish presidenti Fatmir Sejdiu nënshkruhet në Librin e Zisë për Martti Ahtisaarin

  • 19 October 2023 - 12:57
Ish presidenti Fatmir Sejdiu nënshkruhet në Librin e Zisë për Martti Ahtisaarin

Ish president i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është nënshkruar në Librin e Zisë me rastin e vdekjes së presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari, transmeton "Kosova Sot Online".

“Presidenti i Republikës së Kosovës në vitet 2006-2010, Fatmir Sejdiu, sot u nënshkrua në Librin e Zisë, në Ambasadën e Finlandës në Prishtinë, duke shprehur ngushëllime dhe kujtuar me pietet, personalitetin dhe kontributin e Presidentit Marti Ahtisaari dhënë  për pavarësinë e Kosovës.”

 

 

Po ashtu, Sejdiu i dërgoi telegram ngushëllimi familjes së Ahtisaarit, ku shpreh ngushëllimet dhe ka shkruar se i ndjeri do të kujtohet përherë nga qytetarët e Kosovës “si personalitet që nuk kurseu gjithë energjinë e tij për pavarësimin dhe shtetbërjen e Kosovës si zgjidhje dhe vullnet i qytetarëve të saj”.

“E nderuara Familje Ahtisaari, Mora me pikëllim të thellë lajmin për ndarjen nga jeta të Presidentit Martti Ahtisaari, burrështetasit shembullor finlandez si dhe diplomatit nga më të shquarit e kohës sonë, krijuesin e paepur të paqes dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve. Presidenti Ahtisaari do të kujtohet përherë nga qytetarët e Kosovës si personalitet që nuk kurseu gjithë energjinë e tij për pavarësimin dhe shtetbërjen e Kosovës si zgjidhje dhe vullnet i qytetarëve të saj. Unë dhe qytetarët e Kosovës, gjithmonë do ta vlerësojmë si thesar të çmuar kontributin e Tij si dhe rolin që luajti për mirëqenien e vendit tonë. Isha me fat që kisha mundësinë të punoj me te dhe kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i dashur. Ju lutem, në këto çaste të pikëllimit Tuaj, pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e njeriut tuaj të dashur”, thuhet në telegram.

(Kosova Sot Online )