Pesëshja e madhe zbarkon sot në Kosovë dhe Serbi, takime të ngjeshura me Kurtin e Vuçiqin

  • 21 October 2023 - 07:49
Pesëshja e madhe zbarkon sot në Kosovë dhe Serbi, takime të ngjeshura  me Kurtin e Vuçiqin

Pesë zyrtarë perëndimor do të zhvillojnë sot vizitë në Kosovë dhe Serbi, me qëllim kryesor – ringjalljen e dialogut mes dy vendeve, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kështu i ka arsyetuar Bashkimi Evropian vizitat e të dërguarit të tij për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo, në Prishtinë e Beograd.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka konfirmuar të martën se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, ka thënë zëdhënësi Peter Stano.

“BE-ja dhe vendet anëtare, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbesin mbështetëse të mëdha të procesit të normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe së ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të kryejnë pa vonesa dhe pa kushte obligimet e tyre”, ka thënë Stano.

Ndryshe, mbrëmë, pas takimit në mes të krerëve të Bashkimit Evropian dhe presidentit të SHBA-së, Joe Biden, Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni zyrtar kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët ku mes tjerash japin një mesazh edhe sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Në komunikatën e lëshuar pas Samitit BE-SHBA që u mbajt sot në Ëashington, thuhet se është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë në mënyrë urgjente tensionet dhe të zbatojnë me shpejtësi dhe pa kushte marrëveshjen për normalizim të raporteve dhe të kthehen në dialog.

“Ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen tonë për perspektivën e BE-së të rajonit. Të gjithë partnerët duhet të vazhdojnë të bëjnë reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën e tyre evropiane. Ne theksojmë nevojën që Kosova* dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet dhe të zbatojnë me shpejtësi dhe pa kushte marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe kthimit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje se nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë, pa pasur siguri në Kosovë.

Këto komente Kurti i bëri gjatë një ngjarjeje në Shtime, kur u pyet se çfarë pritet të kërkohet nga Kosova gjatë vizitës së pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë më 21 tetor.

“Çka do të kërkojnë dhe çfarë do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit, për popullin dhe shoqërinë”, tha Kurti.

(Kosova Sot Online )