Përfundon bastisja në shtëpinë e ish-shefit të AKI-së
Ka përfunduar bastisja e hetuesve të Prokurorisë së Specializuar të Hagës në shtëpinë e ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakajt. Artan Qerkini, avokat i tij, tha se bastisja nisi në 8 të mëngjesit.
Qerkini fillimisht pyeti se “si ka mundësi që të kenë qasje në shtëpinë e një ish-shefi të shërbimit të inteligjencës persona që nuk e kanë certifikatën e sigurisë”.
“Z. Smakaj fare nuk është evidentuar në këto dokumente si i dyshuar”, tha avokati.
Ai tha se janë marrë disa dokumente, të cilat nuk aktualisht nuk dihen se të çfarë rëndësie janë ato.
“Dokumentet janë marrë. A janë marrë ndonjë dokument që është i ndjeshëm për sigurinë e shtetit të Kosovës, kjo mbetet të shihet”, tha ai në një deklarim para gazetarëve.
“Do të ndërmerren edhe procedurat e nevojshme ligjore nëse është marrë ndonjë dokument i kësaj natyre”, paralajmëroi Qerkini.
Ai tha se hetuesit kanë bastisur me arsyetimin se në shtëpinë e Smakajt “mund të gjenden prova me relevancë për procedurat që janë duke u zhvilluar”. Por Smakaj, ritheksoi ai, “s’e ka statusin e personit të dyshuar”.
Ai, siç thotë Qerkini “s’ka pasur kurrfarë kontakti me dëshmitarë”.
“Nuk është intervistuar dhe nuk ka pranuar kërkesë që të intervistohet”, tha avokati.
Qerkini është avokat edhe i Blerim Shalës, ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, në shtëpinë e të cilit u kryen gjithashtu bastisje. Për të avokati nuk deshi të flasë.
(Kosova Sot Online)