Bajqinovci: E dëmshme për vlerat tona kulturore djegia e monumentit të trashëgimisë kulturore
Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, e ka quajtur të papranueshme djegien e shtëpisë së familjes Koroglu në Mitrovicë, që është pjesë trashëgimisë kulturore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në një postim në profilin e tij në Facebook, deputeti Bajqinovci tha se “organet e ndjekjes duhet të mos kursehen në nxjerrjen para përgjegjësisë penale dhe ndëshkimin maskimal për këto zjarrëvënie që rrezikojnë gjurmët tona shekullore e përmbajtjet tona kulturore”.
Sipas tij “ata që nxiten nga tundimet që përmes shkatërrimit të aseteve të trashëgimisë kulturore të përfitojnë ekonomikisht në kurriz të vlerave, gabojnë rëndë”.
Reagimi i tij i plotë:
E papranueshme dhe dëmshme për vlerat tona kulturore dhe historike, djegia e monumentit të trashëgimisë kulturore shtëpia e Familjes Koroglu. Organet e ndjekjes duhet të mos kursehen në nxjerrjen para përgjegjësisë penale dhe ndëshkimin maskimal për këto zjarrëvënie që rrezikojnë gjurmët tona shekullore e përmbajtjet tona kulturore. Ata që nxiten nga tundimet që përmes shkatërrimit të aseteve të trashëgimisë kulturore të përfitojnë ekonomikisht në kurriz të vlerave, gabojnë rëndë. Qeveria dhe institucionet do t’i rikthejnë këto monumente përmes metodave të lejuara ne standardet ndërkombëtare të ruajtjes dhe mbrojtjes se trashegimise kulturore.
(Kosova Sot Online)