Trupi i pajetë i biznismenit Lulzim Kryeziu largohet nga vendi i ngjarjes
Raportohet se trupi i pajetë i afaristit, Lulzim Kryeziu, është larguar nga vendi i ngjarjes, ku dyshohet se i dha fund jetës së tij sot në Mleqan të Malishevës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Pas disa orëve qëndrimi në shtëpinë e të ndjerit, Mjekësia Ligjore ka marrë trupin e tij për të vazhduar me hetimet përkatëse të këtij rasti. Sipas Policisë së Kosovës, Kryeziu është gjetur i varur në një nga objektet e biznesit familjar.
Lidhur me rastin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Hekuran Batusha, në një përgjigje me shkrim, ka treguar se trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion në Prishtinë
Tutje, zëdhënësi Batusha ka treguar se rasti është duke u hetuar si “Hetim i vdekjes”.
Për rastin janë deklaruar edhe nga policia, ku janë shprehur se një person i moshës madhore është gjetur i varur rreth orës 15:20 të enjten.
“Sot rreth orës 15:20 kemi pranuar informatë se në fshatin Mleqan-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur i varur në një objekt biznesi familjar”, tha Sheremet Elezaj, zëdhënës i policisë.
(Kosova Sot Online)