Netanyahu e hedh poshtë kërkesën e amerikanëve

  • A.P /
  • 03 November 2023 - 23:00
Netanyahu e hedh poshtë kërkesën e amerikanëve

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar sot se është kundër çdo lloj armëpushimi të përkohshëm në luftën kundër Hamasit që nuk përfshin lirimin e të gjithë pengjeve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Izraeli refuzon një armëpushim të përkohshëm që nuk përfshin lirimin e pengjeve tona. Izraeli nuk do të lejojë që karburantet të hyjnë në Gaza dhe kundërshton dërgimin e parave në Rripin e Gazës”, tha Netanyahu në një fjalim televiziv.

Me këtë, ai hodhi poshtë kërkesën e SHBA-së, të cilën ia kërkoi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken me të arritur në Izrael – “një ndërprerje e përkohshme e armiqësive”.

Netanyahu shtoi se Izraeli nuk do të ndalet derisa të fitojë, raporton Times of Israel.

“Ne do të shkatërrojmë Hamasin, do të kthejmë pengjet dhe do të sigurojmë sigurinë e qytetarëve dhe fëmijëve tanë”, tha lideri izraelit.

Ai vlerësoi ushtarët izraelitë, duke thënë se ata “po vrisnin terroristët në Gaza ditë e natë”, me bashkëpunimin e ngushtë të forcave tokësore dhe ajrore të ushtrisë izraelite (IDF).

Netanyahu paralajmëroi armiqtë e Izraelit në veri (Hezbollahun) që të mos e përshkallëzojnë konfliktin sepse do të ishte një “gabim i kushtueshëm”.


(Kosova Sot Online)