Bastisjet nga Specialja, Klinaku: Kush është cak i bastisjeve, duhet të jetë prezent, ata janë në gjendje të montojnë prova
Këtë javë zyra e Prokurorit të Specializuar, ka nisur me disa bastisje që ndërlidhen me proceset gjyqësore që po kryhen në Hagë, pëcjell “Kosova Sot Online”.
Në lidhje me këto bastisje, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se secili që është cak i këtyre bastisje nga ana e ZPS-së të mos lejojë të ju preket diçka pa prezencën e tyre, pasi siç u shpreh ai “ata janë në gjendje edhe të ju montojnë prova duke i quajtur gjoja konfidenciale”.
Postimi i plotë i Klinakut në Facebook.
Të gjithëve ju kujtohen bastisjet e zyrave të OVL UÇK-së nga ana e ZPS-së më 25 shtator 2020.
Kur kam shkuar për të marrë pjesë, apo për të qenë prezent gjatë bastisjeve e kontrollit, puna e parë që e kam bërë është që kam kërkuar nga udhëheqësja e operacionit Zdenka Pumper që t’i nxjerr policët nga zyrat tona e të dalin në korridor, duke i thënë se kemi përvoja të hidhura që nga koha e jugosllavisë kur njerëzve u janë montuar prova, dhe puna e dytë që e kam bërë ka qenë se kam kërkuar urdhëresën e bastisjes dhe kemi pritur gati 1 orë deri sa ka ardhur urdhëresa e shkruar.
Kur kanë filluar bastisjet e kontrolli, nuk kam lejuar që të preket asnjë letër pa qenë unë afër gjysmë metre aty që të shoh se çfarë po preket.
Poashtu në fund kur kam nënshkruar procesverbalin e përfundimit të bastisjes, e kam cekur në vërejtje se nuk jap llogari se çfarë është bërë rreth 1 orë e gjysmë përpara sa nuk isha unë prezent aty.
Prandaj, secili nga ju që mund të jeni cak i bastisjeve apo kontrollit të tyre, mos lejoni që të preket diçka pa prezencën tuaj, sepse ata janë në gjendje edhe të ju montojnë prova duke i quajtur gjoja konfidenciale.
(Kosova Sot Online)