Rama nënshkruan marrëveshje me homologen e tij italiane Giorgia Meloni
Emigrantët që do të shpëtohen në Detin Mesdhe do të strehohen në Shqipëri, ndërsa Italia do të financojë për ngritjen e qendrave për pritjen e tyre, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Për këtë çështje, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nënshkroi më 6 nëntor marrëveshjen me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Romë.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama tha se emigrantët do të zbarkojnë në Shëngjin (në bregdetin e Lezhës), e më pas do të strehohen në disa zona që autoritetet do të vënë në dispozicion.
“Fillimisht flasim për një numër prej 3.000 personash, ndërsa në një vit fluksi emigrator mund të mbërrijë deri në 36.000 persona. Kjo marrëveshje nuk përfshin të miturit, gratë shtatzëna dhe grupet e tjera të ndjeshme”, tha Meloni.
Meloni tha se Italia do të mbulojë shpenzimet financiare, ndërsa sqaroi se në Shëngjin do të funksionojë një qendër që do të bëjë regjistrimin dhe verifikimin e emigrantëve, ndërsa foli për disa zona që Shqipëria do të ofrojë.
Mediat italiane raportuan se pas verifikimit, emigrantët do të strehohen në një qendër të posaçme në Gjadër të Lezhës.
Dy kryeministrat deklaruan se marrëveshja ka tre objektiva: të luftojë trafikimin e paligjshëm, të parandalojë flukset e parregullta dhe të mirëpresë ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se e kishin diskutuar mundësinë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje verën e këtij viti, gjatë vizitës së kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në jug të Shqipërisë.
Në konferencën për mediat u bë e ditur se zbatimi i marrëveshjes pritet të nisë pranverën e vitit të ardhshëm.
“Unë nuk besoj që ne nuk do të jemi në gjendje, të paguajmë atë borxhin që kemi drejt Italisë për atë që kanë bërë për ne nga dita e parë që kemi arritur [shqiptarët] në brigjet në këtë anë të bregut të detit, për të gjetur mbështetje dhe për të pasur një jetë më të mirë. Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”, tha Rama.
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Shqipëria ka strehuar afër 2.500 iranianë, pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, të cilët ndodhen në një kamp në Manzë të Durrësit. Gjithashtu, afër 2.000 afganë janë strehuar në Shqipëri, një pjesë e të cilëve janë larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa qindra të tjerë ndodhen ende në Shëngjin.
(Kosova Sot Online)