E tepron Shqiprim Arifi: Albin Kurti po i përçan shqiptarët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po luan rol përçarës te shqiptarët e Luginës së Preshevës, ka deklaruar kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Arifi nuk i ka kursyer kritikat ndaj Kurtit duke thënë se ka një qasje jo të mirë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Është një traditë e kryeministrit që të përçajë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ai tregon që do vazhdimësinë e përçarjes në Luginën e Preshevës. Këtu ka një kundërshtim pasi Kryeministria duhet të ketë parasysh interesin e përgjithshëm të pakicës shqiptare në Luginë të Preshevës. Kurti ka një qasje tjetër ndaj Greqisë, ai kalon më shumë kohë atje se sa në Shqipëri. Dhe unë pyes, përse Tirana anashkalohet nga Prishtina dhe nga Kurti vetë dhe përse ky angazhim në Greqi. Kur Mitsotakis e ka thënë vetë se nuk do ta njohë Kosovën”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Kurti do t’i presë sot në takim liderët e partive shqiptare nga Lugina e Preshevës. Ndërsa, Arifi ka deklaruar nuk është ftuar në këtë takim.
(Kosova Sot Online)