Hovenier: Nëse s’ka përparim mes Kosovës dhe Serbisë ndihmat miliardëshe në pikëpyetje
Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, ka deklaruar se do të ketë humbje të mundësive, duke rikujtuar që Scholz, Macron dhe Meloni në qëndrimin e tyre të përbashkët kanë folur për pasoja pa i specifikuar, meqë s’duan që të duket si kërcënim, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Do të ketë humbje të mundësive. Nëse e lexon qëndrimin e Scholz, Maron dhe Meloni ata flasin për të përparësitë nëse ecet përpara dhe për pasoja nëse nuk ndodh. Aty s’janë specifikuar, sepse s’duam që të duken si kërcënime”, ka thënë Hovenier.
Ai tutje ka shtuar se nga vetë zbatimi i marrëveshjeve ka përparime, duke përmendur me radhë pikat e marrëveshjes, raporton Express.
Ambasadori amerikan gjithashtu ka përmendur edhe “Planin e Rritjes” të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ka theksuar se bëhet fjalë për diku 6 miliardë euro që planifikohen të investohen në rajon, dhe se përfitimi nga to do të jetë i mundur nëse procesi i normalizimit do të ecë përpara, por do të vihet në pikëpyetje nëse s’do të ketë përparim.
“Ursula Von Der Lyen sapo ishte në rajon për të folur për “Planin e Rritjes” për investim të rreth 6 miliardë eurove në rajon për mbështetje të qëndrueshme. E gjithë kjo është e mundshme derisa normalizimi lëviz përpara, por e gjithë kjo vihet në pikëpyetje nëse ka ngecje. Këshilla jonë për Kosovën është që të mos lejojë stagnimin”, ka potencuar ambasadori Hovenier.
(Kosova Sot Online)