Bombardimet në Gaza, shefi i OBSH-së: Spitali më i madhnuk po funksionon më

  • E.k /
  • 13 November 2023 - 12:03
Bombardimet në Gaza, shefi i OBSH-së: Spitali më i madhnuk po funksionon më

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se qendra mjekësore Shifa në Gaza “nuk po funksionon më si spital” dhe gjendja në spitalin më të madh të Gazës është “e tmerrshme dhe e rrezikshme”.

Shefi i OBSH-së tha se “të shtënat me armë zjarri dhe bombardimet e vazhdueshme” rreth spitalit i “kanë përkeqësuar rrethanat tashmë kritike”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se nuk ka asnjë arsye pse pacientët në spitalin e rrethuar Shifa të Gazës nuk mund të evakuohen në mënyrë të sigurt, por pretendoi se militantët e Hamasit “po bëjnë gjithçka për t’i mbajtur ata në situatë të rrezikshme”.

Udhëheqësi izraelit i tha emisionit “State of the Union” të rrjetit CNN se 100 pacientë janë larguar nga spitali dhe se dhjetëra mijëra palestinezë që jetonin në afërsi janë larguar nga zona përgjatë korridoreve të sigurta që çonin në jug të territorit.

Por luftimet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit vazhduan pranë spitalit, më i madhi i Gazës, dhe drejtori i spitalit, Mohammad Abu Salmiya, tha se objekti ishte i rrethuar nga konflikti.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha për programin “Face the Nation” të kanalit CBS se “Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin luftime në spitale ku njerëz të pafajshëm, pacientë që marrin kujdes mjekësor, janë bllokuar në mes të zjarrit dhe ne kemi zhvilluar konsultime aktive me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit për këtë”.

Një pjesë e trajtimit të pacientëve në spital është pezulluar për shkak të furnizimit të zvogëluar me karburante, me dy foshnja të vdekura si pasojë dhe dhjetëra pacientë të tjerë në rrezik.

Kryeministri Netanyahu, pa dhënë hollësi, tha se Izraeli “sapo i ofroi spitalit Shifa karburant” por “ata e refuzuan atë”.

Ndërkohë, zoti Sullivan tha se SHBA-ja është “angazhuar në mënyrë aktive” me zyrtarët e Izraelit, Katarit dhe Egjiptit për të liruar gati 240 pengje që po mbahen nga Hamasi në Gaza, duke përfshirë nëntë amerikanë dhe një shtetas të huaj me leje pune në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Sullivan tha se presidenti amerikan Joe Biden “nuk do të reshtë derisa të arrijmë marrëveshje, në mënyrë që secili prej pengjeve të mund të kthehet në shtëpi i sigurt”.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Sekretari Antony Blinken foli të shtunën me kryeministrin e Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al Thani për luftën në Gaza, duke përfshirë përpjekjet për lirimin e pengjeve.

Kryeministri Netanyahu i tha rrjetit CNN se “ne po bëjmë gjithçka që mundemi … dhe shumë gjëra që nuk mund të themi” për t’i liruar pengjet.

Udhëheqësi izraelit vazhdoi të refuzojë propozimin e SHBA-së që Autoriteti Palestinez të drejtojë Gazën dhe territorin e Bregut Perëndimor, pas përfundimit të luftës.

Kryeministri Netanyahu tha se kontrollin duhet ta ketë “një autoritet civil i rindërtuar” sepse Autoriteti Palestinez “nuk është i gatshëm të luftojë Hamasin” dhe “ata i mësojnë fëmijët e tyre ta urrejnë Izraelin”.

Ai përsëri refuzoi të diskutojë dështimin e Izraelit për të siguruar informacione për sulmin tronditës të 7 tetorit të Hamasit ndaj shtetit hebre, i cili vrau rreth 1200 njerëz brenda Izraelit.

“Do të ketë kohë të mjaftueshme (për një diskutim të tillë) pas luftës”, tha kryeministri Netanyahu.

Amos Yadlin, ish shefi i shërbimit ushtarak të zbulimit, i tha transmetuesit Channel 12 se vënia nën kontroll të spitaleve në Gaza, do të ishte çelësi për synimin e Izraelit për ta çrrënjosur Hamasin. Por, kjo do të kërkonte “shumë kreativitet taktik” për ta bërë këtë pa dëmtuar pacientë, civilë të tjerë dhe pengjet izraelite.

Zyrtarët e ushtrisë izraelite akuzojnë Hamasin për fshehjen e armëve në tunele nën spitale dhe ngritjen e një qendre komandimi poshtë Shifas dhe spitaleve të tjera, duke i bërë ndërtesat objektiva të ligjshme ushtarake. Hamasi dhe personeli i spitalit e mohojnë këtë.

Forcat e Mbrojtjes izraelite mohuan të kenë qëlluar Shifan të premten dhe akuzuan Hamasin për hedhje të një rakete që synonte trupat izraelite dhe e cila goditi spitalin.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se tanket izraelite ishin 20 metra larg spitalit al-Quds në qytetin e Gazës, duke shkaktuar “një gjendje paniku dhe frike të skajshme ” në mesin e 14,000 personave të zhvendosur dhe të strehuar atje.

Kryeministri Netanyahu përsëriti të shtunën se përgjegjësia për vdekjet dhe plagosjet e civilëve bie mbi Hamasin dhe përsëriti akuzat e kahershme se grupi i cilësuar terrorist nga Shtetet e Bashkuara shfrytëzon civilët në Gaza si mburoja njerëzore.

Ushtria izraelite ka thënë se ushtarët kanë hasur në qindra luftëtarë të Hamasit në objekte nëntokësore, shkolla, xhami dhe klinika gjatë luftimeve në Gaza.

Sipas zyrtarëve palestinezë, numri i të vrarëve është rritur në më shumë se 11,000, rreth 40 për qind e tyre, fëmijë.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se një fëmijë vdes çdo 10 minuta.

“Situata në terren është e pamundur të përshkruhet,” tha zoti Tedros të premten. “Korridoret e spitalit të mbushura me të plagosur, të sëmurë, të vdekur; morgjet e tejmbushura; kirurgji pa mjete anestezie; dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur që strehohen në spitale; familjet e grumbulluara në shkolla të mbipopulluara, të dëshpëruara për ushqim dhe ujë”.

“Nëse ka një ferr në Tokë sot”, tha Jens Laerke, zëdhënësi i OKB-së, “emri i tij është Gaza veriore”.

*Disa informacione për këtë artikull janë siguruar nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe France-Presse. /VOA

(Kosova Sot Online)