A do ta ekstradojë Mali i Zi të kërkuarin për krime lufte në Kosovë?
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka folur për zhvillimet në Mal të Zi, për qasjen e qeverisë së re dhe ndikimit të saj në raport me Kosovën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Gjeloshaj foli për fillimet e punës së tij në qeverinë e re, që sipas tij, janë të përshkuara me probleme që hasen në çdo qeverisje të re.
Lidhur me mosdorëzimin e të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, Gjeloshaj tha se kjo ka ndodhur për shkak të Kovaçit, ministër i Drejtësisë së Malit të Zi, për të cilin tha se është me orientim pro-serb, por që me kohë do të përmirësohet edhe kjo çështje.
Ndërkaq lidhur me partinë e udhëhequr nga Genc Nimanbegu, Gjeloshaj tha se ai ka qenë joparimor dhe joserioz, derisa veprimet e tij pas themelimit të qeverisë i vlerëson si të pakuptimtë.
“Ai është prijës i ‘Forcës..’, e cila është pjesë e shumicës parlamentare dhe ende qëndron në krye të saj, ndërsa ka dhënë dorëheqje nga funksioni i deputetit”, sqaroi Gjeloshaj.
“Vendimi për ekstradim të kriminelit të luftës e i cili strehohet në Mal të Zi, është marrë para se të bëhem zëvendëskryeministër dhe kam kërkuar që të më informojnë për këtë çështje dhe besoj se së shpejti do të procesi do të rishikohet dhe do të merret vendimi, sepse nuk ka interes të mbahet dikush që dyshohet për krime lufte e të strehohet, kur dihet që Mali i Zi është vend anëtar i NATO-s”, deklaroi Gjeloshaj, teksa shtoi se edhe ministri Kovaç do të veprojë në bazë të interesave të vendit si pro-NATO, sipas rtk.
Ai më tej theksoi se nëse vendimi i ministrit Kovaç për mosekstradimin e personit të dyshuar për krime lufte në Kosovë, ka qenë politik, ai vendim do të ndryshohet.
Gjeloshaj më tej siguroi se qeveria e Malit të Zi do të veprojë në frymën e vlerave të marrëveshjes.
(Kosova Sot Online)