Rama: Domosdoshmëri rritja e numrit të forcave të NATO-s në Kosovë, të garantohet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama theksoi sot domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, përcjell “Kosova Sot Online”.
“Jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme, jo vetëm vëmendjen, por edhe trupat, të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike, e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike dhe e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet më”.
“Theksova edhe sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të trafikut të drogës, të aktiviteteve të cilat pastaj ngatërrohen, siç e dimë të gjithë, edhe me aktivitetin politik me sfond ultra-nacionalist, që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës i policisë së Republikës së Kosovës dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe për përshkallëzim të një konflikti, që siç e tha Sekretari i Përgjithshëm ka vetëm një vend për t’u trajtuar në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE me Kosovës dhe Serbisë”.
(Kosova Sot Online)