Parlamenti Evropian miraton një raport të ri

  • A.P /
  • 22 November 2023 - 19:33
Parlamenti Evropian miraton një raport të ri

Parlamenti Evropian ka miratuar të mërkurën një raport përmes së cilit propozon ndryshimin e traktatin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që blloku të jetë më i efikas dhe që të reformohet në të ardhmen, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Po ashtu, në propozimin e PE-së është përfshirë heqja e të drejtës së vetos në vendimet e Këshillit dhe që vendimet të mund të kalojnë me shumicë të kualifikuar. Kjo do të evitonte në të ardhmen situata në të cilat ndonjë shtet anëtar do të bllokonte ndonjë vendim, siç ndodh tani.

Ky propozim ka shkaktuar më së shumti ndasi. Propozimet e PE-së janë në përputhje edhe me mendimet që janë shprehur nga qytetarët evropianë gjatë konsultimeve në Konferencën për të ardhmen e Evropës.

Po ashtu, PE-ja ka propozuar që Komisioni Evropian të ketë më pak anëtar sesa që ka vende anëtare të BE-së.

Sipas propozimit, Komisioni më pas do të quhej “Pushteti ekzekutiv evropian” dhe do të kishte 15 anëtarë dhe gjatë formimit të tij do të merrej parasysh edhe balanca gjeografike.

Aktualisht, KE-ja ka nga një anëtar nga secili vend anëtar i BE-së. Sipas propozimit, presidenti i Komisionit Evropian do ta zgjidhte Parlamenti Evropian, ndërsa atë do ta konfirmonin vendet anëtare në Këshill.

Sipas traktatit që është aktualisht në fuqi, është e kundërta, pasi presidentin e zgjedh Këshilli dhe e konfirmon Parlamenti evropian.

Propozimi i PE-së parasheh që të krijohet edhe mundësia e votimit të mosbesimit ndaj komisionarëve individualë.

Shtetet më të vogla janë shprehur kundër këtyre ndryshimeve nga frika se me to do të zvogëlohet ndikimi i tyre, pasi ato duan që secili vend anëtar të jetë i barabartë, pavarësisht nga madhësia e tyre.

Përmes këtyre propozimeve, PE-ja kërkon që të ketë më shumë transparencë në Këshillin e BE-së dhe të bëhen publike edhe qëndrimet individuale të shteteve anëtare.

PE-ja ka propozuar edhe vendosjen e disa politikave që tash janë nën kompetencat nacionale të vendeve anëtare, duke kërkuar që këto të shndërrohen në kompetencë të përbashkët të BE-së. Në këtë kuadër, PE-ja ka kërkuar që të përfshihen fushat sikurse shëndeti publik, ruajtja e mjedisit, mbrojtja civile, edukimi dhe disa të tjera.

Ky raport në Parlamentin Evropian është miratuar me një dallim të vogël votash, me 305 për dhe 276 kundër. Ndërsa dallimi në votimin për një rezolutë që lidhet me këtë raport ka qenë edhe më i vogël, përkatësisht për të kanë votuar për 291 deputetë dhe 274 kundër.

Parlamenti Evropian ka kërkuar që Këshilli, pa vonesa, të nisë procedurën për reformën e BE-së duke pasur para sysh këto propozime.

(Kosova Sot Online)