Durmishi flet për xhaketën e tij që u tha se kushton 1,600 euro

  • A.P /
  • 26 November 2023 - 15:49
Durmishi flet për xhaketën e tij që u tha se kushton 1,600 euro

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi doli mbrëmë me ministrin Liburn Aliu për t’i inspektuar rrugët pas reshjeve të borës që kishin nisur herët, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ajo që ra në sy nga fotografitë e publikuara ishte xhaketa e Durmishit, e firmës ‘Canada Goose’. Produkti origjinal i kësaj xhakete kushton 1,600 euro. Megjithatë, Durmishi ka mohuar se e ka blerë aq, duke thënë se ajo i ka kushtuar 100 euro.

Durmishi është pyetur nëse xhaketa është origjinale apo imitim, ndërsa është përgjigjur duke thënë se e ka blerë 100 euro në një butik në Fushë Kosovë.

“Këtë jakne e kom ble 100 euro në [emri i butikut] n’Fushë Kosovë, mundeni me shku me pytë sa kushtojnë këto jakne, as s’më ka interesu çfarë firme është, e kam ble m’u duk e mirë për dimën, para një kohe. S’kom mundësi me ble jakne 2 mijë euro, edhe po t’i kisha nuk do ta kisha ble”, deklaroi ai.

Durmishi është pyetur edhe për çështjen e imitimit të produktit origjinal, që përbën vepër penale, mirëpo ai ka thënë se për një gjë të tillë duhet të flasin ata që i shesin këto produkte.

“Kjo është çështje që duhet me u marrë me ata që shesin këto. Besoj, me letra janë në rregull [butiku]”, tha Durmishi.

 

(Kosova Sot Online)