Hovenier: Nuk është duke u zbatuar marrëveshja bazë ashtu siç është shprehur Kurti e Vuçiq
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se nuk është duke u zbatuar marrëveshja bazë ashtu siç është shprehur Kurti e Vuçiq, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ambasadori Hovenier tha se po vazhdon puna me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij, për tu përpjekur për të ardhur deri te një mirëkuptim i përbashkët rreth mënyrës më të mirë për të zbatuar këto marrëveshje.
“Mendoj se kjo është pyetje shumë me rëndësi dhe mendoj se keni të drejtë kur thoni se ka pasur një varg deklaratash nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë siç e thatë edhe ju, nga kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës dhe kryeministrja e Italisë, për të dy vendet për të zbatuar në tërësi dhe shpejt të gjitha detyrimet e marra sipas Marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit. Shtetet e Bashkuara pajtohen tërësisht me këtë. Gjithashtu, mendojmë se kjo është çështje me rëndësi dhe mjaft urgjente”, tha ai.
Ai tha qartazi se marrëveshja bazë mes dy vendeve nuk po zbatohet.
“Sa i përket pyetjes suaj se a po zbatohet plotësisht, mendoj se përgjigja është jo, jo ende, por po ashtu e di që po vazhdon puna përkitazi me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij, për tu përpjekur për të ardhur deri te një mirëkuptim i përbashkët rreth mënyrës më të mirë për të zbatuar këto marrëveshje. Por, të mos ketë asnjë gabim, ajo që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin, presin të shohin është zbatim i plotë dhe i tërësishëm nga të dy palët të të gjitha detyrimeve sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit”, u shpreh ai.
(Kosova Sot Online)