Sot protestë gjithëpopullore, nuk ka paqe pa sigurinë e grave

  • E.k /
  • 05 December 2023 - 08:00
Sot protestë gjithëpopullore, nuk ka paqe pa sigurinë e grave

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, organizon sot protestë gjithëpopullore me moton ‘nuk ka paqe pa sigurinë e grave’, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Ju njoftojmë se këtë të marte, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!”, thuhet në njoftim.

“Këtë javë u njoftuam se një polic e përdhunoi një të mitur në Gjakovë, e një burrë pagoi vrasjen e bashkëshortes së vet në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Sipas, Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, dhuna e gjinizuar ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi nuk janë incidente të izoluara apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve të këtyre krimeve.

“Ato janë simptoma të patriarkalizmit i cili vazhdon ta qeverisë familjen, shoqërinë dhe shtetin tonë. Ato janë pasojat e një dhune strukturore patriarkale që vazhdon t’i shtypë gratë e të prodhojë dhunues e vrasës në çdo celulë të organizimit shoqëror dhe politik. Ne, gratë dhe vajzat në Kosovë, jetojmë në frikë të vazhdueshme për sigurinë tonë dhe për sigurinë e njëra-tjetrës. Dhuna e gjinizuar po na ngulfatë në secilën hapsirë, e disa prej nesh po i vret. E kjo nuk bën të vazhdojë kështu. Ne nuk do të qëndrojmë të qeta/ë përderisa burrat vazhdojnë të dhunojnë e vrasin vajza e gra. Vendi jonë nuk mund të ketë paqe përderisa për gratë çdo ditë është gjendje lufte. Luftë për ekzistencë, luftë për t’u mos u dhunuar, luftë për të mos u vrarë”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)