Mungesa e anesteziologëve problem shqetësues dhe alarm për Kosovën

  • 05 December 2023 - 12:02
Mungesa e anesteziologëve problem shqetësues dhe alarm për Kosovën

Vetëm 49 anesteziologë janë në marrëdhënie pune aktualisht në QKUK, teksa numri po konsiderohet i pamjaftueshëm për të kryer shërbimet që ofrohen aty. Në konkursin e fundit, në gusht të këtij viti u patën pranuar vetëm katër anesteziologë, transmeton "Kosova Sot Online".

Kosova është në hall me mungesën e anesteziologëve. Përderisa vitin e kaluar në QKUK punonin 54 anesteziologë, këtë vit në marrëdhënie pune në QKUK janë vetëm 49 sosh.

Në një përgjigje për medie, nga Zyra për Informim në SHSKUK kanë thënë se në konkursin e fundit janë punësuar edhe katër anesteziologë të rinj.

Sipas tyre, nuk ka pasur kërkesë për më shumë anesteziologë.

“Në QKUK janë të punësuar për momentin 49 anesteziologë. Nga konkursi i fundit i datës 30.08.2023 kur janë pranuar 4 anesteziologë të rinjë, nuk kemi pasur interesim/kërkesë të anesteziologëve – specialist të tjerë për punësim në QKUK se me siguri do të hapej konkurs dhe do te pranoheshin”, thuhet në përgjigjen e tyre.

E Drejtori i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahija në shkurt të këtij vitit pati thënë për Express se vetëm në vitin 2022, 12 anesteziologë e kanë ndërpre kontratën e punës në QKUK.

“Në vitin 2022, 12 anesteziologë e kanë ndërprerë kontratën me QKUK-në, 1 anesteziolog ka ndërruar jetë, 1 është pensionuar, ndërsa janë pranuar 4 specialist të rinj, ku 2 prej tyre e kanë lëshuar punën me kërkesë të tyre”, pati thënë Spahija.

Disa nga arsyet që kanë ndikuar në ikjen e kësaj kategorie të mjekëve nga QKUK-ja është edhe largimi nga vendi.

E mungesa e anesteziologëve është një problem mjaft shqetësues.

Kjo pasi mund të ketë ndërprerje të operacioneve apo lista të gjata të pritjes për të hyrë në operacion në mungesë të këtij kuadri.

(Kosova Sot Online )