Ja kur e braktisi Albin Kurti bashkimin kombëtar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “kishte hequr dorë nga ideja e bashkimit kombëtar në vitin 2019 e jo në vitin 2021”, kur Kurti fitoi mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ka deklaruar aktivisti Shkëlzen Gashi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Këtë Gashi e bazon në atë që kur Kurti kishte arritur koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, ishte zotuar për forcim të shtetit të Kosovës, dhe jo për bashkim.
Më tutje, Gashi thotë se ai ka qenë kundër mënyrës sesi Lëvizja Vetëvendosje e ka prezantuar bashkimin me Shqipërinë.
“Albin Kurti nuk ka heq dorë nga bashkimi me Shqipërinë në vitin 2021, kur ka ardhur në pushtet, por në vitin 2019 kur është futur në koalicion me LDK-në në vitin 2019. Aty e ka bërë një premtim që në 1 2 3 mandate nuk do të angazhohet për bashkim kombëtar, por për forcimin e shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
“Unë kur nuk kam qenë ithtar i idesë që Kosova duhet me u bashku me Shqipërinë në mënyrën sesi e ka prezantu Vetëvendosja. Kur është themeluar Vetëvendosja është themelu si një subjekt politik që angazhohet për vetëvendosje, sepse vetëvendosja ndahet në territoriale dhe etnike dhe të brendshme e të jashtme. Vetëvendosja ka dashur vetëvendosje territoriale, shtet pavarur dhe sovran kufijtë e tanishëm, ndërkaq jashtëm e ka pasur në raport me Serbinë e të brendshmen në raport me UNMIK’un dhe bashkësinë ndërkombëtare. Kështu ka qenë deri në vitin 2008 kur është lexuar deklarata e pavarësisë së Kosovës. Një vit pas asaj Vetëvendosje dhe Kurti e ka ndrru, nuk ka më vetëvendosje territoriale, por vetëvendosje etnike për bashkim me Shqipërinë”, ka deklaruar Gashi.
Më 30 nëntor, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte thënë se “Kosova është projekt i përkohshëm”. Por Gashi e kundërshton këtë mënyrë, duke thënë se për bashkim duhet negociata.
“Ata e kanë pasur idenë, Kosova t’i bashkohet Shqipërisë, të futet përfund e Shqipëria të jetë përmbi, kështu e ka thënë edhe Liburni, sepse beson ashtu”.
“Unë jam për bashkim me Shqipërinë, por me disa kushte dhe për këtë duhet të ketë negociata”, ka deklaruar ai.
(Kosova Sot Online)