Vjen paralajmërimi: Do të kërkojmë në Parlamentin e ri që Spanja ta njohë Kosovën

  • A.P /
  • 06 December 2023 - 17:40
Vjen paralajmërimi: Do të kërkojmë në Parlamentin e ri që Spanja ta njohë Kosovën

Pasi Pedro Sanchez ka arritur që të mbetet kryeministër edhe për një mandat tjetër falë përkrahjes nga partitë katalunase, mes tyre edhe partia e Carles Puigdemont “Junts per Catalunya”, çështja e mundësisë që Spanja të ndryshojë pozicion për Kosovën është rikthyer përsëri në vëmendje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nga zyra e Puidgemont kanë thënë se partia e tyre gjithmonë e ka ndjekur me interes çështjen e Kosovës dhe në vazhdimësi kanë kërkuar nga Qeveria e Spanjës që ta njohë Kosovën plotësisht si shtet të pavarur.

Josep Alay, shef i Stafit të Carles Puidgemont ka thënë një insistim të tillë do ta përsërisin edhe në mandatin e ri të parlamentit të Spanjës, duke sqaruar se “Junts për Catalunya” s’janë pjesë e kabinitetit qeveritar por që vetë do ta përkrahin Qeverinë e Sanchez nga jashtë dhe se s’kanë kapacitet për të vendosur për çështjen e njohjes së Kosovës nga Spanja.

“Si shef i stafit  të tij, mund t’ju them se ne gjithmonë e kemi ndjekur me shumë interes çështjen e Kosovës dhe gjithmonë kemi kërkuar nga qeveria spanjolle që ta njohë plotësisht Kosovën dhe një komb të pavarur. Në këtë mandat të ri parlamentar, ne do të insistojmë edhe një herë që Spanja të njohë Kosovën, por më lejoni të them se partia politike e Presidentit, Junts per Catalunya, nuk është pjesë e kabinetit spanjoll. Ne i japim mbështetje kësaj Qeverie vetëm nga jashtë dhe nuk kemi kapacitet të vendosim për çështjen e njohjes së Kosovës nga Spanja”, ka thënë Alay.

(Kosova Sot Online)