Zbulohen fakte të reja: Ja çfarë kishte thënë Naim Murseli për raportin e tij me Behxhet Pacollin

  • A.P /
  • 06 December 2023 - 18:17
Zbulohen fakte të reja: Ja çfarë kishte thënë Naim Murseli për raportin e tij me Behxhet Pacollin

Në fotografitë që Naim Murseli, i dyshuar se ka organizuar vrasjen e gruas së tij Liridona Ademaj, i ka të publikuara në profilin e tij në facebook, në aeroplan privat e pushime nëpër vendet ekzotike të botës, dëshmohet hapur lidhja speciale e tij me Behxhet Pacollin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Murseli në një fotografi që e ka publikuar në profilin e tij, ka treguar se për herë të parë e kishte takuar Pacollin në vitin 2006 në qytetin e Gjakovës.

“Takimi im i parë me z. Behgjet Pacolli. Në vitin 2006, Gjakovë”, thuhet në përshkrimin që Murseli i ka vendosur fotografisë.

Murseli në profilin e tij në facebook kishte shkruar rreth sëmundjes kur ishte foshnje. Ai kishte treguar se si 2 vjeçar kishte qenë duke luftuar për jetë në Zagreb, ndërsa pas 25 vitesh kishte arritur të shoqërohej me ish-presidentin kroat Stipe Mesiq dhe Behgjet Pacollin.

 “Vetëm Zoti e vendos fatin e secilit”, kishte shkruar  Murseli më 14 korrik 2020.

“Unë, dy vjeç, duke luftuar për jetë në Zagreb, Kroaci 25 vjet më vonë së bashku me dy Presidentë, njëri i Kroacisë dhe tjetri i Kosovës, në një udhëtim privat. Vetëm Zoti vendos fatin e secilit”, thuhet në postim.

Raporti i tyre më 2014 e kishte çuar Pacollin në Uddevalla të Suedisë ku deri më tani ka jetuar Murseli dhe familja e tij.

Gazeta suedeze Expressen kishte shkruar për qëndrimin e Pacollit atje. Raportohej se “Vizita në Suedinë Perëndimore vjen pasi këshilltari komunal i Uddevalla Magnus Jacobsson (KD) dhe Naim Murseli, kandidat për deputet (KD), shqiptar nga Kosova dhe mik i Pacollit, vizituan së fundmi Kosovën. Tani pritej një vizitë e kthimit për të diskutuar bashkëpunimet e mundshme në teknologji dhe energji. Pacolli vizitoi të enjten Kynningsrud dhe Uddevalla Energi AB”.

“Ka mundësi të mira për investime në Kosovë. Përveç kësaj, ne kemi marrë dy zona të tregtisë së lirë në vend, të cilat duhet të jenë interesante për kompanitë suedeze dhe skandinave” citohej të ketë thënë Behgjet Pacolli, që po vizitonte kompanitë në Goteborg.

Naim Murseli bashkë me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën gjenden në paraburgim për rastin e vrasjes së Lirdiona Ademajt. Murseli dyshohet si organizatori i gjithë skenarit për vrasjen. Granit Plava për Prokurorinë dyshohet që është personi që ka vrarë Liridonën, ndërkohë që Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.Ata janë duke u mbajtur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

(Kosova Sot Online)