Mustafa: Mos ndoshta Vuçiq është tallur me Besnik Bislimin
Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se mbase presidenti serb është tallur me Besnik Bislimin dhe tashmë numri dy i Qeverisë së Kosovës po tallet me vetveten dhe opinionin kosovar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Mustafa ka thënë se kur e ka propozuar klauzolën e Gjykatës Kushtetuese, Vuçiq e ka kundërshtuar duke thënë se “s’e njeh shtetin e Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës”, megjithatë thotë se në fund është pajtuar pas insistimit të Kosovës.
“Ndoshta Vuçiq është tallë me te në Bruksel, dhe Besniku tani tallet me vetveten dhe me opinionin. Kur unë e kam propozuar klauzolën e Gjykatës Kushtetuese, Vuçiq e ka kundërshtuar duke u arsyetuar se nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës. Me insistimin tonë se Asociacioni s’mund të themelohet dhe të funksionojë, nëse kontestohet kushtetutshmëria e tij, prandaj edhe dialogu bëhet i pa përmbajtje, në fund është pajtuar”, ka thënë Isa Mustafa për Gazetën Express.
Në fund Mustafa ka thënë se deklarata e Bislimit se Vuçiq “nuk iu beson politikanëve të Kosovës” por se i beson Kushtetutës së Kosovës do të kishte vlerë nëse do të ishte e vërtetë.
Mustafa thotë se është e rëndësishme që Serbia t’i besojë Kushtetutës dhe shtetit të Kosovës dhe që serbët ta pranojnë Kosovën si shtetin e tyre, por thotë se këtu qëndron problemi, prandaj sipas Mustafaës “Bislimi dhe bislimat po dalin me hundë të gjatë”
“Për mua edhe bindja e Bislimit se Vuçiq nuk u beson politikanëve të Kosovës por po i “besojka” Kushtetutës së Kosovës do të ishte me vlerë nëse do të ishte e vërtetë. Me rëndësi është që Serbia t’i besojë Kushtetutës dhe shtetit të Kosovës dhe serbet e Kosovës ta pranojnë Kosovën edhe si shtetin e tyre. Por problemi është këtu, prandaj Bislimi dhe bislimat po na dalin me hundë të gjatë!”, ka përfunduar ish-kryeministri Isa Mustafa për Gazetën Express.
Bislimi në një intervistë për televizionin publik të Kosovës ka folur për Asociacionin dhe Draftin e vitit 2015, duke thënë se Vuçiq s’iu kishte besuar atë kohë politikanëve të Kosovës dhe se ishte pajtuar që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ta thotë fjalën e fundit për Draftin.
“Kërkesa që draft-dokumenti i 2015-ës të shkojë në Kushtetuese nuk ka qenë kërkesë e delegacionit kosovar, ka qenë kërkesë e delegacionit të Serbisë. Sepse ata kanë thënë ‘nuk iu besojmë politikanëve të Kosovës, por në atë moment kur Gjykata Kushtetuese thotë që është në rregull, ju duhet ta bëni gjithsesi’. Është manipulim i opinionit kur Isa Mustafa thotë që ‘unë e kam kërkuar nenin për ta dërguar në Kushtetuese’ për arsye se në Bruksel, në negociata, më është thënë që këtë e ka kërkuar Serbia. Ju mund ta pyesni Bashkimin Europian. Është shumë interesante dhe shumë e pakuptueshme”, ka deklaruar Bislimi.
(Kosova Sot Online)