I dha fund jetës në ‘anijen hotel’ në Angli, nisin hetimet për vdekjen e shqiptarit! E motra: Rojet e trajtonin si kafshë
Autoritetet britanike do të nisin hetimet për vdekjen e 27-vjeçarit shqiptar Leonard Farruku, që dyshohet se i ka dhënë fund jetës në Angli rreth një javë më parë në anijen Bibby Stockholm ku mbahen azilkërkuesit e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar.
“Një hetim do të hapet për vdekjen e një azilkërkuesi që vdiq në anijen Bibby Stokholm”, shkruan media britanike standard.
Sekretari i brendëshëm britanik, James Cleverly është shprehur se vdekja e papritur e shqiptarit do të hetohej “plotësisht” dhe Rachael Griffin, mjeke ligjore në Dorset, ka konfirmuar se hetimi për vdekjen e tij do të hapej të enjten, më 21 dhjetor.
Identiteti i viktimës, i cili u gjet pa jetë javën e kaluar, është zbuluar nga ‘The Telegraph’, që shkruan se i riu pagoi 4,000 euro për të kaluar Kanalin La Mansh me gomone duke hyrë ilegalisht në Britani verën e kaluar.
Motra e tij Jola Dushku, 33 vjeçe, e cila jeton në Lombardi të Italisë, ka tregur bisedën e fundit me të vëllanë. “Kur fola me të herën e fundit, më tha se kushtet në atë varkë nuk ishin të këqija, por rojet i trajtonin si kafshë.
“Vëllai im, kur mbërriti në MB, i dha Home Office adresën e të afërmve tanë në Londër. Ata u kontaktuan nga policia e cila u tregoi se çfarë kishte ndodhur”.
“Sipas të afërmve tanë që janë në kontakt me policinë, Leonardi atë natë në orën 23 të mbrëmjes ka pasur disa probleme dhe është qetësuar nga roja. Në orën 3 të mëngjesit ai u gjet i vdekur. Nuk kemi më shumë detaje se si ai vdiq.”
Leonardi siç tregon e motra emigroi drejt Anglisë për një jetë më të mirë dhe për të fituar një leje qëndrimi. Ajo ka thënë për mediat britanike se pikërisht për këtë arsye, vëllai i saj iu bind kërkesës së Home Office për të shkuar për t’u akomoduar në atë anije, ku edhe i dha fund jetës.
“Ai erdhi në MB me ëndrrën për të gjetur punë më të mirë dhe, më e rëndësishmja, për të marrë leje të pacaktuar për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Dushku.
“Ai u përgjigj “Po”, kur i thanë se akomodimi i tij i ri do të ishte në atë varkë ku ai kaloi ditët e fundit të jetës së tij”, shtoi e motra.
(Kosova Sot Online)