Gjykata Kushtetuese nxjerrë vendim lidhur me kërkesën e Glauk Konjufcës
Gjykata Kushtetuese e Republikë së Kosovës ka nxjerrë vendim lidhur me kërkesën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve kushtetuese që lidhen me Vettingun, me qëllim që ato para se të shkojnë në Kuvend për miratim, të konstatohet nëse i pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II për “Të Drejtat dhe Liritë Themelore” të Kushtetutës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar sot se njëzëri, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme, dhe ka konstatuar me gjashtë vota për dhe dy vota kundër, që amendamenti i propozuar kushtetues nr.29, përmes të cilit propozohet kontrolli kalimtar/i përkohshëm i integritetit të “[…]anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorëve, si dhe kandidatëve për këto pozita[…]”, nga Autoriteti për Kontrollin e Integritetit (Autoriteti), nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.
Gjithashtu Kushtetuesja njëzëri ka konstatuar që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimet “në mënyrë të vazhdueshme është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme” ose “ka bërë shkelje të rënda disiplinore”, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës
Në njoftim thuhet që Gjykata Kushtetuese njëzëri ka konstatuar që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “është vërtetuar se ka pasuri të pajustifikueshme” me vendim gjyqësor përfundimtar, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.
Megjithatë, Kushtetuesja njëzëri ka konstatuar që amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr. 28 ku propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektim të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “ka integritet të cenueshëm”, pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.
(Kosova Sot Online)