KEDS dhe KESCO: Ne nuk i vendosim çmimet e rrymës

  • A.P /
  • 26 December 2023 - 17:06
KEDS dhe KESCO: Ne nuk i vendosim çmimet e rrymës

Lidhur me faturat e larta të energjisë elektrike për këtë muaj, KEDS dhe KESCO kanë dalë sërish me një reagim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në reagimin e tyre thuhet se së fundi “KEDS dhe KESCO edhe një herë janë gjetur në qendër të grindjeve të vazhdueshme politike për përfitime politike ndërmjet partive politike rivale”.

“Është dëshpëruese të politizohen operimet tona për përfitime politike. Ne besojmë fuqishëm se publiku dhe partitë politike duhet të respektojnë autonominë e fushëveprimit të kompanive private, të parashikuara në kushtetutën tonë. Akuzat e pabaza dhe sulmet politike jo vetëm që keqinterpretojnë rolin tonë, porse edhe minojnë mjedisin e biznesit në Kosovë”, thuhet në reagim.

Tutje, theksohet se KEDS dhe KESCO nuk i vendosin çmimet, por vetëm u përmbahen atyre.

“Një pikë e rëndësishme e mosmarrëveshjeje ka qenë keqkuptimi në lidhje me përcaktimin e çmimeve dhe tarifave të energjisë elektrike. Dëshirojmë të sqarojmë se KEDS dhe KESCO nuk i vendosin këto çmime. Kjo është kompetenca e autoriteteve rregullatore, të cilat veprojnë në mënyrë të pavarur nga kompanitë tona. KEDS dhe KESCO u përmbahen në mënyrë strikte tarifave të përcaktuara nga këto organe rregullatorë”, thuhet në reagim.


(Kosova Sot Online)