Analisti çek: Më shqetësoi takimi Vuçiq-Aliyev, një ofensivë ndaj Kosovës do të përfundonte me debakël politik e ekonomik për Serbinë

  • E.k /
  • 27 December 2023 - 09:38
Analisti çek: Më shqetësoi takimi Vuçiq-Aliyev, një ofensivë ndaj Kosovës do të përfundonte me debakël politik e ekonomik për Serbinë

Petr Čermák, hulumtues i çështjeve të politikës dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, pjesë e Shoqatës për Çështje ndërkombëtare, ka komentuar mbi mundësinë e një lufte të re në rajon.

Ai tha se regjimi në Serbi po përdor taktika të njëjta ndaj kundërshtarëve sikur edhe Rusia dhe kjo, thotë ai, nuk është e vetmja paralele mes dy këtyre regjimeve.

“Vuçiq ka dominuar jo vetëm politikën, por edhe median dhe ekonominë, në radhë të parë përmes kompanive shtetërore, të cilat në një farë mënyre mund të ngjajnë me modelin rus. Ato përdoren gjithashtu për të kontrolluar rezultatet e zgjedhjeve”, i tha Čermák mediumit çek, Blesk.

Čermák, duke folur mbi mundësinë e shpërthimit të një lufte të re në rajon, përmendi takimin e presidentit të Serbisë, Aleksnadar Vuçiq me presidentin e Azarbejxhanit, Ilham Aliyev, ku sipas tij, lideri serb shprehu njëfarë mbështetje për pushtimin e papritur të Nagorno-Karabakut në shtator dhe kështu, sipas tij, la të kuptohet se Serbia mund ta bëjë të njëjtën gjë me Kosovën. Ky takim, ai tha se e shqetësoi, por që sërish shpreson në racionalitetin e Vuçiqit për ta kuptuar se një ofensivë ndaj Kosovës do të përfundonte me një debakël politik dhe ekonomik për Serbinë, përcjell Gazeta Express.

“Në rrethana të tilla, Perëndimi ndoshta do t’i bashkohej plotësisht palës së Kosovës dhe NATO, që ende ka trupa paqeruajtëse në vend, gjithashtu do të ndërhynte”, parashikon ai. Sipas Čermák, ka mundësi që Vuçiq ta ketë ngritur sërish çështjen e Kosovës për shkak të zgjedhjeve.

I pyetur se kush do të mund të mbante anën e Serbisë në këtë zonë, nëse konflikti do të ndizet, ai u përgjigj se në të vërtetë Beogradi nuk do të kishte shumë mbështetje. “Bosnja dhe Mali i Zi kanë popullsi të fuqishme serbe që tentojnë ta shkrijnë politikën e tyre me atë të Serbisë, por këto vende po përpiqen gjithashtu të anëtarësohen në BE. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë qartësisht pro-perëndimore, përfshirë çështjen e Ukrainës”.

Shumë turistë çekë shkojnë në Ballkan çdo verë. Kroacia ka qenë prej kohësh destinacioni më i shpeshtë i pushuesve çekë, ndërkohë që po rriten popullariteti edhe Shqipëria dhe Mali i Zi. Čermák beson se nuk ka nevojë që turistët çekë të kenë frikë se një konflikt i armatosur mund t’i kërcënojë ata në këto pjesë. “Kjo ndoshta nuk do të ndodhë”, thotë ai. “Kroacia është plotësisht e sigurt dhe politikisht shumë më perëndimore se pjesa tjetër e rajonit, dhe Shqipëria dhe Mali i Zi janë gjithashtu të sigurta”.

(Kosova Sot Online)