Rrahman Jasharaj kritikon Kurtin e Nagavcin për qasjen ndaj sindikatave

  • E.k /
  • 28 December 2023 - 11:28
Rrahman Jasharaj kritikon Kurtin e Nagavcin për qasjen ndaj sindikatave

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka mbajtur takimin përmbyllës duke analizuar aktivitetet e zhvilluara e duke bërë planifikime të veprimtarive sindikale në vitin 2024, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit të lëshuar për media, Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar “se fatkeqësisht edhe në vitin 2023 Qeveria Kurti e në këtë kuadër edhe Ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasjen e gabuar ndaj sindikatave dhe i kanë ikur dialogut të mirëfilltë”.

Njoftimi i plotë:

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka mbajtur takimin përmbyllës duke analizuar aktivitetet e zhvilluara e duke bërë planifikime të veprimtarive sindikale në vitin 2024. Përfaqësuesit e të punësuarve që nga çerdhet e deri në universitete kanë vlerësuar se viti 2023 ishte me plot sfida, por edhe me arritje të shumta.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj duke prezantuar raportin e punës ka deklaruar se fatkeqësisht edhe në vitin 2023 Qeveria Kurti e në këtë kuadër edhe Ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasjen e gabuar ndaj sindikatave dhe i kanë ikur dialogut të mirëfilltë për çka përmes shkresave janë kritikuar edhe nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), që numëron 11 milionë anëtarë dhe Internacionales Botërore të Arsimit (EI), që numëron 32 milionë anëtarë.

Jasharaj ka kujtuar edhe tendencën e Qeverisë për shuarjen e sindikatave përmes pengesave të regjistrimit në e-Kosova, por u ka shkuar huq, siç tha Jasharaj, sepse shumica e të punësuarve në arsim kaloi këto barriera duke dëshmuar se janë bashkë e në SBASHK. Ai pastaj ka përgëzuar veprimtarët sindikalë dhe stafin qendror, të cilët kanë arritur të realizojnë detyrat e planifikuara për vitin 2023.

Anëtarët e Këshillit Drejtues kanë bërë vlerësim të angazhimeve e aktiviteteve sindikale në komuna e në universitete duke përmendur trajnimet e organizuara me qindra punëtorë të arsimit, organizimin me sukses të aktiviteteve kushtuar ditës së madhe të mësuesit, rrjedhën e mbarë të pushimeve për qindra punëtorë arsimor në bregdetin shqiptar dhe aktivitetet e shumta me Qendrën Amerikane të Solidaritetit duke veçuar punëtoritë sindikale në shtatë qendrat e Kosovës dhe Tryezën përgatitore me pjesëmarrjen e të gjitha palëve që ndërlidhën me arsimin për të mbajtur në shkurtin e vitit 2024 Konferencën ndërkombëtare lidhur me ruajtjen dhe kujdesin për shëndetin mendor në shkolla. Ata kanë theksuar se punëtorët e arsimit falë Kontratës Kolektive të Arsimit kanë realizuar përmes gjykatave benifite të shumta, që u ka krijuar kjo Kontratë.

Duke vlerësuar lart angazhimet e koordinatorit për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, Këshilli Drejtues e shpalli atë sindikalist të vitit në SBASHK dhe falënderon gjithë sindikatat e Kosovës që në kuadër të BSPK-së e shpallen sindikalist të vitit në nivel vendi kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jashari.

(Kosova Sot Online)