Zbardhen detaje për vrasjen e 18-vjeçarit i cili u vra mizorisht derisa nga Policia e Kosovës u raportua si ‘therje me thikë’
Policia tha se veprimet operative dhe hetimore në rastin e vrasjes së 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu i mori në “përputhje me autorizimet e marra nga prokurori i shtetit”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Për përshkrimin e pasaktë të rastit i cili fillimisht u cilësua si “therje me thikë”, Inspektorati Policor ka nisur një hetim. Prokuroria, të cilës Policia tha t’i “drejtohemi” për informacionet tjera, u arsyetua me “natyrën konfidenciale” të rastit.
Rasti i vrasjes së Lulzim Fejzullahu nga Podujeva u përshkrua nga Policia në fillim si “therje me thikë” dhe versioni ndryshoi pasi 18-vjeçari vdiq pas një përpjekjeje gjashtëditore të mjekëve për ta mbajtur atë në jetë.
Pamjet e publikuara të dielën dëshmuan se ai ishte goditur me veturë, e më pas kishte marrë goditje të përsëritshme me shkop në kokë nga dy të mitur.
Zyra për marrëdhënie me publikun dhe media e Policisë, në një përgjigje dha një sqarim për rastin e 14 janarit ku 18-vjeçari. Fillimisht tha se kjo “dyshohet të jetë vazhdimësi e një zënke (mosmarrëveshje apo konflikti) të ndodhur po të njëjtën ditë, disa minuta përpara, në rrugën ‘Jusuf Gërvalla’ në Podujevë”, dhe se kanë trajtuar dhe po trajtojnë “çfarëdo informacioni që mund të ndërlidhet me çfarëdo rrethane që ka mundur ti paraprij ngjarjes”.
Policia u arsyetua se veprimet operative dhe hetimore lidhur me këtë rast i ka marrë në përputhje me “autorizimet e marra nga prokurori i shtetit” dhe se “në kontekstin e kësaj përgjatë ekzaminimit forenzik, në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar një thikë, të cilën e ka administruar në cilësinë e provës materiale”.
“Që nga momenti i marrjes së informacionit për rastin, policia ka trajtuar me kujdes të veçantë çdo aspekt të ngjarjes dhe ka ndërmarrë me përpikëri të gjitha veprimet e nevojshme të ekzaminimit ato operative si dhe veprimet hetimore në përputhje me kompetencën si dhe autorizimet e marra nga prokurori i shtetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Në fund të sqarimit të gjatë, për të kuptuar përtej asaj çfarë thuhej në përgjigje, Policia tha që t’i drejtohemi Prokurorisë.
Media ka pyetur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për ndryshimin e përshkrimit të rastit, por nga organi i ndjekjes që përveç kryeqytetit mbulon edhe gjashtë komuna tjera, nuk dhanë më tepër përgjigje, përveçse tregoi se dy sulmuesve u ishte caktuar paraburgimi një ditë pas rastit dhe se rasti u rikualifikua pasi 18-vjeçari vdiq në QKUK.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 15.01.2024, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të miturve, në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë”, sipas KPRK-së, pranë gjykatës kompetente dhe po në të njëjtën ditë, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e prokurorisë, pra ka caktuar masën e paraburgimit për të njëjtit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
“Ashtu siç iu kemi njoftuar përmes komunikatës, prokuroria ka pranuar informata në rrugën “Drenica” Podujevë, nga një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë rasti vazhdon të trajtohet si vrasje e rëndë)”, thuhet tutje në përgjigje.
Prokuroria thotë se “nuk mund të japim informata të tjera” lidhur me këtë çështje, “për shkak se rasti i takon procedurës për të mitur dhe si të tilla janë të natyrës konfidenciale”.
Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur një hetim duke grumbulluar informacione për veprimet e policëve, pas vrasjes së 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu.
Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, tha dje se po mbledhin informacionet, duke përfshirë edhe shkresat e Policisë lidhur me këtë rast.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast”, tha Beka.
Lulzim Fejzullahu vdiq të shtunën në QKUK, pasi me gjithë trajtimin mjekësor nuk mundi t’u mbijetojë lëndimeve të rënda që i kishte marrë gjashtë ditë më parë. Shaqir Uka, shef i repartit të Intensivës në QKUK, ku po trajtohej 18-vjeçari, i tha gazetës dje se te viktima nuk kanë parë plagë therëse.
“Pacienti është sjellë në njësinë e mjekimit intensiv qendror pas intervenimit kirurgjik në sallën e qendrës emergjente në urgjencë, për shkak të lëndimeve që ka pësuar në regjionin e kokës dhe ato si pasojë e gjakderdhjes që ka pësu në regjionin e kokës si pasojë e goditjeve. Nuk kemi të evidentuar, as në raportin e Qendrës Emergjente, por as ne këtu nuk kemi pa që ka pasë plagë therëse”, tha Uka.
Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur një hetim duke grumbulluar informacione për veprimet e policëve, pas vrasjes së 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu.
IPK po i heton veprimet policore
Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, tha se po mbledhin informacionet, duke përfshirë edhe shkresat e Policisë lidhur me këtë rast që u përshkrua ndryshe ditën kur ndodhi, nga çfarë treguan pamjet e publikuara dje.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast”, tha Beka.
“Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”, shtoi ai.
Rrahim Fejzullahu, axha i viktimës, tha të dielën se familjarë të të dyshuarve i kishin dërguar njerëz. Gjyshi i njërit prej sulmuesve, siç tha ai, i kishte thënë se “edhe djali ynë është i therrur”.
Lulzim Fejzullahu në moshën 4 vjeçare kishte mbetur pa njërin prind, ndërsa pak më vonë i kishte vdekur edhe tjetri. Ai u varros të dielën në varrezat e qytetit në Podujevë.
(Kosova Sot Online)