Lajçak në Kosovë, zyrtarja e PE-së thotë se ndërmjetësuesit anojnë kah Serbia në dialog
Asistentja në Parlamentin Evropian, Federica Woelk, është e pakënaqur me qasjen e ndërmjetësuesve në dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas saj teksa kalojnë ditët vërehet se ata përpiqen që të përfshijnë pika të cilat janë në favorin e Serbisë.
“Kur Kosova kërkon përfshirjen e çështjes së krimeve të luftës në kornizën e dialogut, përgjigja është jo. Kjo qasje me standard të dyfishtë është problem”, ka shkruar ajo në X.
“Kjo nuk është sikur qëndrimet tjera të politikës së jashtme të BE-së. Paragjykimi në këtë rast është konkret dhe i qartë, ndërmjetësuesit janë totalisht të anshëm kah Serbia dhe kështu nuk ka një mundësi të vërtetë për dialog”.
Ekspertja për Ballkanin në PE, ka shquar se politika evropiane ndaj Kosovës është thellë e padrejtë dhe absolutisht e pabazuar në ndonjëfarë lloj fakti.
“Kjo mund të shihet veçanërisht nga vendimi për të ndërhyrë kundër Kushtetutës së Kosovës për dinarin”.
Këto komente Woelk i ka bërë në ditën kur në Prishtinë është duke qëndruar i dërguari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
(Kosova Sot Online)