Lexoni edhe:
ICG rekomandon “rrugë alternative” për avancimin e të drejtave të serbëve lokal nëse dështon Asociacioni
Musa Damati, avokat i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila të mërkurën e dënoi klientin e tij me 3 vjet e tetë muaj burgim në rastin e njohur si “53-milionëshi”, transmeton "Kosova Sot Online ".
Në një prononcim për media, Damati ka thënë se vendimin do të apelojnë në Gjykatën e Shkallës së Dytë.
“Për arsye se provat gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kanë qenë të panumërta në drejtim të sqarimit të kronologjisë dhe implikimeve buxhetore që ka pasur ky projekt kapital për vendin”, ka deklaruar ai.
Avokati tutje është shprehur se projekti është filluar shumë kohë para se Lekaj ta pranojë detyrën e ministrit.
“Është projekt, i cili që nga fillimi është krijuar me vonesa dhe implikime buxhetore”, ka thënë Damati, duke shtuar se provat kanë qenë aq shumë shfajësuese sa “ne si mbrojtje nuk mund ta konsiderojmë ndryshe vendimin e Shkallës së Parë veçse skandaloz dhe bindja jonë është se do të pasojë ndryshime në favorin e klientit tonë”.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të akuzuar në rastin e njohur si “53-milionëshi”, duke i dënuar me 10 vjet e tre muaj burgim.
Sipas aktgjykimit, ish-ministri Pal Lekaj është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim, këshilltari i tij politik Eset Berisha është dënuar me mbi tre vjet, sekretari i përgjithshëm, Nebih Shatri dhe drejtori i prokurimit publik, Besim Tahiri janë dënuar me nga një vit e tetë muaj.
(Kosova Sot Online )