Gjykata u ka caktuar nga 1 muaj paraburgim dy zyrtarëve të dyshuar për 'Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar'
Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga 1 muaj paraburgim dy zyrtarëve të kësaj gjykatë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurve I.I dhe D.H për shkak të dyshimit se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe dy të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj për secilin, masa e paraburgimit është caktuar në kuptim të nenit 184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 , pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.”
Në njoftimin e gjykatës thuhet se kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të hënën se janë ndaluar dy zyrtarët, nën dyshimin për korrupsion.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion me urdhër të Prokurorit të Shtetit ka ndaluar personat me inicialet D.H. dhe I.I., zyrtarë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak se të njëjtit dyshohen se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare, më konkretisht dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 i KPRK-së”, thuhej në njoftim.
(Kosova Sot Online)