Juratoviq: Vuçiq në hall për shkak të manipulimeve në zgjedhje
Deputeti gjermano-kroat i Bundestagut, Josip Juratoviq deklaroi të premten se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është në hall të madh për shkak të manipulimeve të zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
Këto komente Juratoviq i bëri pas takimit që delegacioni gjerman pati me anëtarët e Komisionit për Punë te Jashtme dhe Diasporë, me rastin e vizitës në Kosovë.
Sipas tij, në Serbi shtypja është e madhe dhe Vuçiq është në hall të madh për shkak të manipulimeve të zgjedhjeve, marrë parasysh edhe protestat kundër regjimit të këtij të fundit.
Deputetët gjermanë me rastin e vizitës në Kosovë kanë vizituar edhe veriun e Mitrovicës.
Juratoviq tha se në veri kanë parë se serbët ndihen shumë të shqetësuar dhe të manipuluar nga Serbia. Ndërkohë që, shtoi se është e rëndësishme që të shikohet se çfarë mund të bëhet për ta.
Derisa tha se Kosova ka mbështetjen e Gjermanisë, deputeti gjerman foli po ashtu edhe për masat që janë marrë për dinarin, për çka u shpreh se qytetarët serbë do të duhej të përgatiteshin paraprakisht për këtë.
Sipas tij, serbët në veri të Kosovës nuk janë kundër vendimit, porse kanë kërkuar më shumë informacione.
(Kosova Sot Online)