Vdekja e 4-vjeçares nga Gjakova, ShSKUK: Kishte infeksion të rëndë, mos të spekulohet me shkaqet e vdekjes

  • E.K /
  • 21 February 2024 - 15:21
Vdekja e 4-vjeçares nga Gjakova, ShSKUK: Kishte infeksion të rëndë, mos të spekulohet me shkaqet e vdekjes

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka dalë me një reagim lidhur me rastin e 4-vjeçares nga Gjakova, e cila vdiq të hënën, ku sipas prindërve të saj, ajo dyshohet se ishte rrahur nga disa familjarë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Në reagimin e ShSKUK’së thuhet se e njëjta kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e QKUK’së më 17 shkurt, rreth orës 15:00 dhe se ishte sjellë nga Spitali i Gjakovës, me parametra vital dhe me gjendje mjaftë të rënduar shëndetësore.

Tutje thuhet se pas analizave dhe konsultave, ajo ishte vendosur për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë).

ShSKUK, apelon që në publik, mos të spekulohet në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në rezultatet e hetuesisë, të cilat do të merren parasysh edhe nga ShSKUK për veprime të mëtejme.

(Kosova Sot Online)