Stano ia kthen ashpër Bislimit: Sjellje e papranueshme, po i akuzon pa bazë zyrtarët e BE’së

  • E.k /
  • 22 February 2024 - 13:04
Stano ia kthen ashpër Bislimit: Sjellje e papranueshme, po i akuzon pa bazë zyrtarët e BE’së

Sjellja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) është e papranueshme, tha të enjten zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

“Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme” ka thënë Stano.

Të mërkurën, Bislimi tha se e refuzoi një ftesë të Brukselit për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe e akuzoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për shkelje të parimeve.

Bislimi tha se Lajçaku, me dërgimin e kësaj ftese, kishte shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi sipas tij, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.

Stano konfirmoi se BE-ja i kishte ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit në një takim për 27 shkurt.

Ai tha se festa e të dërguarit të posaçëm të BE-së, megjithatë, nuk specifikonte se kush prej secilës palë duhej të merrte pjesë në takimin e ftuar nga ai për 27 shkurt.

“Zakonisht në nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo i ishte lënë palëve të vendosin”, tha Stano.

Ai shpjegoi se ftesa u bë pas takimeve ndarëse që përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës Albin, Kurti, në Munih të Gjermanisë javën e shkuar, ku u diskutua çështja e dinarit, sipas tij.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – që parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme – hyri në fuqi më 1 shkurt.

Stano tha se BE-ja po bën përpjekje për të gjetur një zgjidhje për problemin e krijuar nga “vendimi i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i ishte komunikuar paraprakisht popullatës në të cilën ndikon”.

Ai e përsëritur qëndrimin se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës do të ketë “ndikim serioz” për popullatën serbe në Kosovë dhe komunitetet e tjera, posaçërisht ata që marrin asistencë financiare nga Serbia.

“BE dhe vendet anëtare ishin shumë të qarta në reagimet e tyre ndaj këtij vendimi kontra produktiv, dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet brenda kornizës së dialogut” theksoi Stano.

“Sjellja jokonstruktive nga ana e autoriteteve të Kosovës, dështimi dhe mungesa e angazhimit vetëm e distancon Kosovën nga perspektiva e saj evropiane” paralajmëroi ai.

Edhe më parë Bashkimi Evropian ka kërkuar që çështja e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Po ashtu, edhe autoritetet bankare në Serbi kanë kërkuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun në Bruksel, duke mos e pranuar kërkesën e Kosovës që ato të bisedojnë drejtpërdrejt me Bankën Qendrore të Kosovës për këtë.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Në vende të caktuara në Graçanicë, qytetarët serbë më 20 shkurt nuk kanë mundur të marrin ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë në postë, që punon sipas sistemit serb, sepse punonjësit u kanë thënë se nuk kanë para për t’i paguar këto shtesa.

Po ashtu, më 21 shkurt një grup i mësimdhënësve në Mitrovicë të Veriut protestuan para Kursimores së Postës së Serbisë, pasi nuk morën pagat.

Beogradi e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se mospërmbushja e kësaj kërkese veçse ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

BQK-ja ka thënë se vendimi do të zbatohet përmes një faze tranzitore jo më të gjatë se tre muaj./REL/

(Kosova Sot Online)