Çështja e pronave dhe 53 milionë eurove përplas deputetët Thaçi e Bytyqi në Komision

  • 27 February 2024 - 12:32
Çështja e pronave dhe 53 milionë eurove përplas deputetët Thaçi e Bytyqi në Komision

Me përplasje mes pozitës dhe opozitës ka nisur mbledhja e sotme e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku në rend dite ishte shqyrtimi i raportit të auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”.

E gjitha nisi kur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi filloi ta mbronte punën e ministrit Liburn Aliu, transmeton "Kosova Sot Online ".

Thaçi tha se ministri që nga marrja e mandatit ka qenë target i opozitës, derisa përmendi edhe shit-blerjet e tokave të shtetit. “Unë edhe javën e kaluar e kam thënë pas atij gjyqi publik që i është ministrit në këtë komision, pas atyre fyerjeve, ofendimeve dhe akuzave të pabaza se sikur unë të isha ministër nuk do të kisha ardhur në këtë komision. Po shihet që vazhdimisht nga fillimi i mandatit ka qenë target i opozitës dhe disa mediave, ministri Liburn Aliut. Krejt kjo po ndodhë se dikush është mësuar që të blejnë tokë nga shteti me 50 euro arin e ta shes shtetit me 5 mijë euro…”, tha Thaçi.

Pas kësaj ka ndërhyrë deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, duke i thënë se “ta kanë shkruar gabimisht fjalimin”.

“Gabim ta kanë shkru fjalimin, mos e lexo këta po duhesh me fol ata çka ti e mendon. Gabim e ki të shkruar. Të kisha thanë me e çu dorën e me votu raportin me dërgua në Kuvend, mos u bë dallavergji”, u shpreh Bytyqi. Pas kësaj sërish ndërhyri deputeti Halil Thaçi duke i thënë se e kanë pikë të dobët çështjen e pronave.“E di Albanë e keni pikë të dobët këtë çështjen e pronës”, tha Thaçi. E deputetja Bytyqi iu përgjigj që “nuk e kemi pikë të dobët, pikë të dobët e ki ti që po bëhesh avokat i ministrit”. Deputetja nuk e mbajti veten dhe për një moment ia mbylli edhe laptopin deputetit Thaçi në shenjë revolte ndaj asaj çfarë ai po deklaronte.

“I kuptoj se nuk ka ma skandale me 53 milionë euro…”, tha Thaçi. 

(Kosova sot Online )