Sot mbahet samiti për Ukrainën në Tiranë, zbardhet agjenda
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka arritur në Shqipëri mbrëmë vonë.
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka njoftuar në ‘Facebook”, për arritjen e Zelenskyt në Shqipëri.
Ai do të pritet në takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në ora 09:00.
Tashmë është bërë e ditur edhe agjenda për ditën e nesërme, ku pas takimit kokë me kokë pritet të ketë edhe një takim bilateral mes dy delegacioneve, atij ukrainas dhe delegacionit shqiptar.
Ky takim sipas agjendës është parashikuar të fillojë në orën 9:30 dhe do përfundojë me firmosjen e një marrëveshje.
Ndërsa, në orën 11:00 pritet që liderët të mbërrijnë në pallatin e Kongreseve ku do të zhvillohet më pas Samiti.
Për të folur më tepër rreth kësaj vizite të rëndësishme si dhe për dy samitet që do të zhvillohen, i pari me fokus Ukrainën dhe i dyti me fokus Ballkanin Perëndimor, ishte në një intervistë për Alice Taylor në Euronews Albania, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
E ndërsa foli për pritshmëritë e tij rreth takimeve dhe samiteve me rëndësi që do të zhvillohen në këtë javë, kryeministri Rama iu përgjigj edhe një pyetjeje me shumë rëndësi për shqiptarët. A do diskutojë kryeministri i Shqipërisë me Zelenskyn, për njohjen e pavarësisë së Kosovës?
Kam një pyetje sa i takon Kosovës. Kosova ka qenë e zëshme në mbështetjen për Ukrainën, por Ukraina ka deklaruar se nuk do ta njohë Kosovën. Është kjo diçka që mund ta diskutoni me Zelenskyn gjatë vizitës së tij?
Edi Rama: Dëgjoni, gjëja më e fisme që Kosova po bën është se po tregohet besnike ndaj vlerave të saj. Kjo e nderon Kosovën dhe nuk bëhet për të përfituar diçka. Kosova po bën gjënë e duhur, fillimisht për veten e saj, sa i takon besnikërisë ndaj vlerave të saj.
Sigurisht, rruga drejt njohjes nga Ukraina është e gjatë, por është pozitive që Kosova do jetë pjesëmarrëse. Presidentja Osmani ju përgjigj shumë shpejt ftesës dhe do të jemi të gjithë së bashku aty. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, çështjeve të ndërlikuara mes vetes, të gjithë do të jenë aty me Ukrainën, për diçka që na lidh të gjithëve, në mënyra të ndryshme.
Agjenda e Samitit të Ukrainës (28 Shkurt 2024)
09.00 – Presidenti Zelensky do të mikpritet nga Kryeministri Rama, në Kryeministri.
09.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Zelensky.
9.30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.
10.10 – Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës
11.00 – Doorstep dhe mbërritja e liderëve ( Pallati i Kongreseve)
11.30-Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit.
13:00 – Foto Familjare
Të gjitha mediat
13.30 – Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.
(Kosova Sot Online)